Më shumë se 7 milionë rusë nuk lejohen të largohen nga Rusia për shkak të borxheve të akumuluara. Ky numër është pothuajse dy herë më i madh sesa ishte para dhjetë muajve, kur rreth 4 milionë rusë nuk lejoheshin të udhëtonin jashtë Rusisë.
Sipas Shërbimit Federal të Përmbarimit, në Rusi në total janë 18.9 milionë banorë që janë në borxhe. Në listën e peronave që nuk lejohen të lëshojnë Rusinë janë ata borxhli që kanë mbi 400 dollarë dhe që kanë vonesë në kthimin e borxhit më shumë se 90 ditë.
Në dyfishimin e numrit të shtetasve rusë që nuk lejohet të udhëtojnë jashtë Rusisë ka ndikuar thellimi i krizës ekonomike, posaçërisht gjatë periudhës së pandemisë.
Vitin e fundit në Rusi janë duke u rritur borxhlitë pothuajse në të gjithë sektorët, duke filluar nga kredit bankare e për të vazhduar me borxhet për strehim, shërbime komunale, gjobat e policisë rrugore, e deri të mospagimi i detyrimeve ushqimore.
Nga numri prej 7 milionë rusëve që nuk lejohen të udhëtojnë jashtë Rusisë, shumica e tyre kanë kredi bankare të cilat kanë dështuar ti kthejnë për shkak të humbjes së vendeve të punës dhe vështirësive financiare.
Shumë kritik në Rusi këtë po e konsiderojnë si rikthim në periudhën e Bashkimit Sovjetik ku kategorikëve të caktuara ju ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik.
Ndalesa e udhëtimit jashtë Rusisë nuk lidhet vetëm me personat që kanë borxhe por edhe me ata që punojnë në organet e sigurisë. Në vitin 2010, punëtoret e Shërbimit Inteligjent Rusë (FSB) ishin të parët që u vendosen në listën e personave që ju ndalohet udhëtimi jashtë Rusisë dhe atë pasi që koloneli i FSB-së, Alexander Poteyev ishte larguar për në SHBA duke zbuluar identitetet e rrjetit të spiunëve rusë në SHBA dhe Britani të Madhe.
Edhe pse nuk dihet sa është numri i saktë i pjesëtarëve të FSB-së, pasi që kjo e dhënë është e klasifikuar, thuhet se ky numër shkon deri në 200 mijë pjesëtarë. Thuhet se kjo ndalesë e udhëtimit jashtë Rusisë për pjesëtarët e FSB-së është bërë për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve inteligjente.







