Brazili ka publikuar të dhëna të cilat tregojnë shifra rekorde negative të shpyllëzimit të vendit në dekadën e fundit, ndërsa ekziston frika se gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë pasi ta marrë pushtetin presidenti i zgjedhur, Jair Bolsonaro, i cili vlerësohet si kundërshtar i politikave për mbrojtje të mjedisit.
Gjatë periudhës kohore mes gushtit të vitit 2017 dhe korrikut të vitit 2018, rreth 7,900 kilometra katrorë janë shpyllëzuar në forma të ndryshme, bazuar në të dhënat preliminare të Ministrisë së Mjedisit, e cila i ka mbledhur ato përmes vrojtimit nga satelitët. Kjo shifër paraqet një rritje prej 13.7% në krahasim me vitin e kaluar dhe shifrën më të madhe që nga viti 2008. Sipërfaqja e shpyllëzuar është e barabartë me sipërfaqen e rreth 980,000 fushave të futbollit.
Kjo shifër u prit me shqetësim nga aktivistët për mbrojtjen e mjedisit, të cilët thonë se shpyllëzimi mund të përkeqësohet edhe më shumë me ardhjen në pushtet të presidentit tashmë të zgjedhur të Brazilit, Bolsonaro. “Kjo është sipërfaqe shumë e madhe. Situata është vërtet shqetësuese. E keqja do të bëhet edhe më e keqe”, tha Marcio Astrini, koordinator i politikave publike mjedisore.
Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit tha se shifra e shpyllëzimit është rritur, pavarësisht rritjes së buxhetit të ministrisë dhe operacioneve të kryera nga agjencia e mbrojtjes së mjedisit, “Ibama”. “Duhet ta rrisim nivelin e mobilizimit në të gjitha hallkat e qeverisë, shoqërisë dhe sektorit prodhues që t’i luftojmë veprimet që e dëmtojnë mjedisin”, tha ministri i mjedisit, Edson Duarte.
Ndonëse shifra e shpyllëzimit kishte shënuar një përmirësim në vitet e kaluara, ajo filloi të rritet sërish në vitin 2013, pasi ish-presidentja majtiste, Dilma Rousseff, e kishte futur në fuqi një kod të ri për pyjet, i cili i amnistonte ata që kryejnë shpyllëzime në sipërfaqe të vogla. Edhe presidenti i ri pritet të jetë një “armik” i mjedisit. Ai planifikon që të lejojë gërmime në zonat më të mbrojtura të Amazonës. Sidoqoftë, ai është tërhequr nga synimi për ta larguar vendin e tij nga marrëveshja mjedisore e Parisit, pasi prodhuesit bujqësorë thanë se prodhimet e tyre do të rrezikoheshin nga bojkoti i konsumatorëve evropianë, shkruan “The Guardian”.







