BQK demanton raportimet: Nuk ka rritje 35% të sigurimit për vetura

Gjatë ditës së sotme në media është raportuar se Banka Qëndrore e Kosovës ka hartuar raportin final ku ka propozuar rritje prej 35 përqind të çmimit të sigurimit për automjete.

Sipas raportimeve ky raport tashmë i është dorëzuar kompanive të sigurimeve dhe vetëm po pritet marrja e vendimit nga organet e BQK-së.

Njëra ndër arsyet e kësaj rritje thuhej se është edhe falimentimi i Kompanisë së Sigurimeve ‘Insig’ dhe dëmet e mbetura nga kjo kompani, të paguheshin nga qytetarët e Kosovës.

Një lajm i tillë nuk është pritur mirë nga qytetarët, të cilët nuk kanë qenë të pajtimit që të marrin përgjegjësinë e humbjeve të kompanive private që operojnë në tregun e sigurimeve.

Në anën tjetër, Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Kushtrim Ahmetin, i cili e ka mohuar plotësisht një lajm të tillë.

“Banka Qëndrore e Kosovës aktualisht nuk ka marrë ndonjë vendim të tillë. BQK-ja nuk komenton raportimet e mediave, por për çfarëdo vendimi, do ta informojë opinionin zyrtarisht siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se rritja e çmimit për sigurimin e automjeteve është përfolur edhe më herët, por nuk ka pasur ndonjë vendim konkret nga BQK-ja. /Ballkani.info

loading…