BQE u thotë bankave të përgatiten pasi lufta në Ukrainë po godet ekonominë

Banka Qendrore Europiane u ka bërë thirrje bankave që të marrin masa dhe të përgatiten për një rrugë të vështirë që do të vijë, pasi lufta në Ukrainë po godet ekonominë, ndërsa rritja e papritur e normave të interesit po i bën tregjet edhe më të paqëndrueshme, tha mbikëqyrësi kryesor i BQE-së, Andrea Enria.

Bankat e eurozonës sapo po hiqnin masat e emergjencës të vendosura në kulmin e pandemisë së koronavirusit, duke përfshirë edhe një kufi në pagesat e dividentëve, kur konflikti që shpërtheu në shkurt errësoi përsëri perspektivën ekonomike.

Enria tha se mbikëqyrësit tani u kanë kërkuar bankave që të “rivlerësojnë” pritshmëritë e tyre, duke përfshirë edhe sasinë e kapitalit që do të kenë në dispozicion.

“Ne u kemi kërkuar bankave që të rivlerësojnë projeksionet e tyre dhe trajektoret e kapitalit në rrethanat e reja makroekonomike, duke marrë parasysh edhe skenarët e pafavorshëm”, tha Enria për të përditshmen italiane Repubblica.

Enria tha se çmimet më të larta të energjisë dhe të mallrave po nxisin rritjen e inflacionit dhe po ngadalësonin rritjen ekonomike, duke tejkaluar përmirësimin e marzheve të bankave si rrjedhojë e rritjes së normave të interesit.

Nga ana tjetër, ai tha se bankat kishin demonstruar qëndrueshmëri për vitin 2021, duke rregulluar bilancin e tyre, pavarësisht nga pamundësia e korporatave për të paguar borxhet në tre muajt e fundit të vitit, kur u hoqën masat mbështetëse për pandeminë e COVID-19./ Reuters