Bota e Bislimit e Kurtit| Mburren me rritjen ekonomike të vitit të kaluar dhe rënien në fushën e sundimit të ligjit

jë raport ndërkombëtar që u publikua pardje i shërbeu partisë në pushtet për të nisur një minifushatë  në rrjetet sociale. Valles së lavdërimit për raportin që tregoi se Kosova është e 57’ta  në botë  për sundim të ligjit, i priu Kryeministri Kurti, ndërsa eksponentë tjerë partiakë dhe të Presidencës i shkuan pas. Kur u lexua krejt raporti, doli se Kosova ka qenë e renditur më mirë në vitin 2020, në vendin e 54’të. Ndërsa Zëvendëskryeministri Bislimi po çudit që po krenohet në një fushë tjetër, në atë të ekonomisë. Ai po e prezanton ende “shkëlqimin” e vitit të vitit 2021, kur vendi pati rritje diku te 10 përqindëshi.   

Kanë mbetur vetëm edhe dy muaj për të përfunduar viti 2022, por pushteti në Kosovë vazhdon të krenohet me rritjen ekonomike të vitit 2021 që ishte dy-shifrore.

Qeveria nuk po e përmend rritjen ekonomike për vitin 2022, sepse Banka Botërore ka parashikuar ngadalësim të rritjes ekonomike për 3.1 për qind – por tash ”krenaria“ është bartur dikah tjetër; sundimi i ligjit.

Qeveritarët, Kurti, Bislimi e tjerë, rrahën gjoks me raportin e World Justice Project që për këtë vit thotë se Kosova është në vendin e 57’t për sundim të ligjit ( tre pozita më lartë kur krahasohet me vitin 2021 dhe tre pozita më poshtë kur krahasohet me vitin 2020). Pra, në krahasim më 2020 Kosova ka shënuar rënie në fushën e sundimit të ligjit, por festa e pushtetit ka vazhduar. Megjithatë, Kosova është në vendin e dytë në botë për përmirësim në sundimin e ligjit, kjo e ka ngjallur edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti.

“Këtë vit, Projekti i Drejtësisë Botërore (World Justice Project) e ka renditur përsëri Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit. Ai gjithashtu e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe atë shpejtësi”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Raporti i World Justice Project thotë se në rrafshin global ka pasur rënie të sundimit të ligjit.

Ky raport nuk është tërësisht pozitiv për Kosovën, vendi ka probleme   në drejtësi civile kur renditet e 84’ta dhe përmbarimin rregullator ku ndodhet e 81’t.

Entuziazmin e Kurtit për sundimin e ligjit ( 2022) dhe atë të Bislimit për rritjen ekonomike (2021), opozita po e cilëson si “propagandë”.

Hykmete  Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shkruar në Facebook të enjten se “pushteti i lexon raportet si të dojë”.

“Aftësia e qeveritarëve për të lexuar raporte është e paparë. Injorojnë krejt raportin, kalojnë 39 faqe dhe shkojnë te faqja 40, gjejnë diçka për t’u lavdëruar por realiteti është ndryshme”, ka thënë ajo.

Të njëjtën kritikë opozita e thotë edhe për rritjen ekonomike të vitit 2021, vihet në pah krahasimi me vitin 2020 kur 1/3 e tij ishte bllokadë totale shkak i pandemisë COVID-19.

Por duke i anashkaluar faktorët që e rezultuan rritjen ekonomike 10.7, zyra e kryeministrit nuk ia la pa ia transmetuar publikut dekalratën e Besnik Bislimit në Samitin e “The Economist” për rritjen ekonomike, shkruan Express.

“Në lidhje me arritjet e këtyre objektivave, zëvendëskryeministri tha se rrëfyes dhe tregues të suksesit janë rritja ekonomike prej 10.7%, rritja e të hyrave buxhetore me 30%, rritja e eksporteve me 2/3, rritja e investimeve të huaja direkte me 22% dhe krijimi i 35.000 vendeve të reja të punës, ku 10.000 prej tyre janë vende të punës të formalizuara, duke ditur dhe vështirësitë në reduktimin e ekonomisë informale, por edhe sa e rëndësishme është kjo për ambientin e biznesit”, u tha në komunikatën e ZKM-së, të dielën.

Nëse si referencë e marrim raportin e Bankës Botërore dhe të World Justice Project, atëherë në shembullin e Kosovës mund të nxirret konkluzioni se “kur ka rritje ekonomike ka më pak sundim të ligjit” dhe “kur ka sundim të ligjit ka më pak rritje ekonomike”.

Duket kontradiktore për shkencat ekonomike, juridike dhe politike, pasi si tezë konvencionale është se “zbatimi i ligjit e përcakton zhvillim”, por jo edhe në rrethana të jashtëzakonshme si pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë.

Qeveria Kurti vazhdimisht është arsyetuar për krizën globale kur ka qenë çështja e rritjes së çmimeve për produktet esenciale.

Por, nuk e ka inkuadruar krizën globale në statistikat e prezantuara kur është parë suksesi nominal.