Si çdo vit dhe 2023 kaloi me sforcot dhe mundimet e tij, luftërat – disa në vazhdim e disa të reja, katastrofat natyrale.

Konkurrenca gjeopolitike ka qenë në rritje, krerë shtetesh janë takuar, të tjerë kanë evituar, vendet e Jugut të botës po kërkojnë të kenë vendin e tyre të merituar në një sistem ndërkombëtar jo më bipolar.

Në përgjithësi, lajmet e mira kanë qenë të mangëta, ose të paktën duhet të mundohemi për t’i kujtuar. Shumë ngjarje janë mbyllur edhe pse kanë lënë pasoja e të tjera do të vazhdojnë.

Një listë e vogël për të mos harruar 2023 e për të shpresuar në një vit të ri më inkurajues.

Demokracia gjithnjë e më shumë në sfidë

Grushte shteti të vazhdueshme në Afrikë. Në korrik, ushtria e Nigerit rrëzoi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit. Shtetet fqinje kërcënuan se do të ndërhynin nëse grushti i shtetit nuk anulohej, por juntat ushtarake që drejtonin Malin dhe Burkina Fason kërcënuan me luftë si përgjigje.

Franca kështu u detyrua të tërheqë si ambasadorin ashtu edhe trupat e saj kundër terrorizmit nga Nigeri, hera e tretë që i ndodh në vendet ish koloniale.

Ndërkohë, në gusht, presidenti i Gabonit, Ali Bongo Ondimba, trashëgimtar i një dinastie që sundoi për 55 vjet, rrëzohet pas zgjedhjeve presidenciale përmes një grushti shteti nga ushtria.

Në Tajlandë pas zgjedhjeve të majit, kur një parti e re progresive fitoi shumicën e vendeve, një marrëveshje në prapaskenë prodhoi një qeveri pro-ushtarake që la jashtë fituesin.

Qeveria e Indisë vazhdon gjithnjë e më shumë të përdorte ligjin dhe frikën si mjete kundër zërave kritikë.

Prokurori i Përgjithshëm i Guatemalës u përpoq të pengonte presidentin e zgjedhur të vendit të merrte detyrën, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Perusë, Patricia Benavides, akuzohet si kreu i një organizate të dyshuar kriminale pasi do të kishte bërë një shkëmbim votash në Parlament, për të mbrojtur pozicionin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Perusë.

Partitë e ekstremit të djathtë kanë arritur të kenë rezultate të mira në të gjithë Evropën, duke ringjallur përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, kujtimet se si u shembën demokracitë evropiane një shekull më parë.

Donald Trump tha se nëse ai rifitonte Presidencën e SHBA-ve, ai nuk do të ishte diktator “përveç ditës së parë” dhe se do të përdorte presidencën për të luftuar armiqtë e tij politikë.

Tërmete shkatërruese

Në orët e para të 6 shkurtit, një nga tërmetet më vdekjeprurëse në një shekull rrafshon qytete të tëra në Turqinë juglindore. Do humbasin jetën të paktën 59 mijë njerëz, të cilëve iu shtohen 8 mijë të tjerë të vrarë përtej kufirit, në Siri.

Shtatë muaj më vonë, më 8 shtator, Maroku pëson tërmetin më vdekjeprurës në historinë e tij, me qendër malet Atlas. Rreth 3 mijë njerëz humbasin jetën.

Hëna, gara e re në hapësirë

Rritet konkurrenca në garën hapësinore për vitin 2023. Në majë arrin India, duke u bërë kombi i parë që ul me sukses një anije pa pilot në polin jugor të Hënës në gusht, vetëm disa ditë pasi një automjet rus u përplas duke dashur që të ulej.

Mbi gjysmë shekulli pasi astronauti amerikan Neil Armstrong arriti në Hënë, disa vende po përpiqen t’i kthejnë sërish njerëzit. NASA synon një mision me ekuipazh deri në vitin 2025, Kina për vitin 2030 dhe India për vitin 2040.

India, vendi më i populluar në botë

India kalon Kinën si vendi më i populluar në botë. Për një shekull ka qenë Kina ajo që ka mbizotëruar. Viti 2023 i dha fund shekullit me popullsinë e Kinës që është tkurrur dhe plakur. Popullsia indiane vlerësohet të ketë 1.43 miliardë njerëz dhe mendohet se do të ruaj primatin për dekadat e ardhshme. Demografët parashikojnë se popullsia kineze do të bjerë me 100 milionë njerëz deri në mesin e shekullit, ose më shumë se popullsia e të gjitha vendeve.

Azerbajxhani pushton Nagorno-Karabakun.

Shembja e murit të hekurt vazhdon të ndihet edhe tre dekada më vonë. Në fund të vitit 1991, Nagorno-Karabaku, i populluar kryesisht nga armenë etnikë, shpalli pavarësinë, duke shkaktuar një luftë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kur luftimet përfunduan në 1994 me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, Nagorno-Karabakh kishte fituar de fakto pavarësinë së bashku me një pjesë të territorit të Azerbajxhanit.

Armëpushimi do arrinte të qëndronte deri më 2020, kur luftime në shkallë të gjerë shpërthyen sërish. Pas gjashtë javësh, Rusia negocioi një armëpushim tjetër, pas të cilit Nagorno-Karabak kaloi në pjesën më të madhe nën kontrollin e Azerbajxhanit.

Në shtator 2023, pas një sulmi rrufe, Azerbajxhani mori kontrollin në të gjithë territorin duke shtyrë më shumë se 100 mijë armenë, ose afërsisht 85 për qind e popullsisë së Nagorno-Karabakut, të merrnin rrugën e emigracionit drejt Armenisë.

Nëndetësja Titan pëson fatin e Titan-it

Nëndetësja Titan me pesë persona në bord shpërtheu në Oqeanin Atlantik të Veriut më 18 qershor. Pjesë e një misioni turistik ekstrem në thellësitë e Oqeanit për të vizituar rrënojat 111-vjeçare të Titanikut , fatkeqësisht ndoqi fatin e saj.

Mes viktimave ishte një miliarder i pasionuar pas bëmave të pamundura, piloti i nëndetëses i quajtur “Mr Titanic”, një nga menaxherët më të pasur në Pakistan me djalin e tij 19-vjeçar dhe CEO dhe themelues i OceanGate, kompania që për shumën e 250 mijë dollarë ofroi “një mundësi për të dalë nga jeta e përditshme dhe për të zbuluar diçka vërtet të jashtëzakonshme”.

Lufta civile në Sudan

2023 supozohej të ishte viti kur Sudani të merrte formën e demokracisë. Në vend të saj, lufta civile do të shkatërronte vendin më pasoja katastrofike. Konflikti i kishte rrënjët në protestat që çuan ushtrinë e Sudanit në prill 2019 për të përmbysur diktatorin e vendit Omar al-Bashir.

Junta e re ushtarake arriti një marrëveshje me grupet e tjera për të ndarë përkohësisht pushtetin e për të vajtur në zgjedhje. Megjithatë, në tetor 2021, Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Mohamed Hamdan Dagalo, kreu i milicisë së Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RsF), udhëhoqën një tjetër grusht shteti.

Por as kjo lidhje nuk zgjati. Më 15 prill 2023, RsF sulmuan bazat e SAF duke marrë kontrollin e kryeqytetit, Khartoum, ndërsa SAF arriti të ruajë kontrollin e Port Sudan, porti kryesor detar i vendit. Me mbylljen e vitit, luftimet vranë më shumë se 10 mijë njerëz dhe zhvendosën 5.6 milionë të tjerë, ose afër 15 për qind të popullsisë së Sudanit.

Inteligjenca artificiale (AI) e ardhmja dhe rreziqet

AI, edje pse ka vite që ekziston dhe flitet, në fakt shpërtheu vitin e kaluar me lindjen e ChatGPT. AI është aftësia e një makine për të demonstruar aftësi njerëzore si arsyetimi, të mësuarit, planifikimi dhe kreativiteti.

Në vitin 2023, teknologjia e bazuar në të ashtuquajturat modele të gjuhëve të mëdha jo vetëm që u përmirësua – versioni i fundit i ChatGPT thuhet se është dhjetë herë më i avancuar se paraardhësi i tij.

ChatGPT është inteligjenca artificiale më e avancuar e aplikuar për të kuptuar dhe shkruar tekste.  Di si t’u përgjigjet pyetjeve të hapura dhe të kryejë detyra komplekse.

Shqiptarja Mira Murati është pikërisht inxhinierja pas zhvillimit të ChatGPT.

Zhvillimi i AI nuk mund të kalonte pa një debat në nivel global, duke vënë në dukje dhe frikën e makthin pas përdorimit pa rregulla të një potencialiteti të tillë.

Bashkimi Evropian është i pari i cili arriti një marrëveshje mbi një ligj që rregullon inteligjencën artificiale. Ligji duhet të inkurajojë inovacionin në Evropë, duke kufizuar njëkohësisht abuzimet e mundshme të këtyre teknologjive.

Tensionet SHBA-Kinë

Pas një 2022 me tensione të forta mes SHBA-Kinë, me fillimin e vitit 2023, u duk sikur po lehtësoheshin. Nëntorin e kaluar, Joe Biden dhe Xi Jinping patën një takim produktiv në margjinat e samitit të G-20 në Bali.

Por më pas dalja e një tullumbaceje mbikëqyrëse kineze u shfaq mbi Shtetet e Bashkuara. Ajo u zhvendos në të gjithë vendin për një javë përpara se një F-22 Raptor i Forcave Ajrore të SHBA-ve ta rrëzonte në brigjet e Karolinës së Jugut.

Pekini këmbënguli se balona ishte hedhur jashtë kursit ndërsa monitoronte motin, një shpjegim që Shtetet e Bashkuara e hodhën poshtë. Incidenti ndezi sërish tensionet politike gjë që çoi në shtyrjen e vizitës së Sekretarit të Shtetit Amerikan, Anthony Blinken,në Pekin.

Ndërkaq zyrtarët kinezë refuzuan të pranonin një telefonatë nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin pas rrëzimit të balonës, duke theksuar mungesën e një kanali komunikimi të vendosur midis dy superfuqive.

Blinken më në fund udhëtoi në Pekin në qershor. Rezultati do të ishte “konstruktiv”. Gjithsesi kjo nuk e ndaloi Uashingtonin të vendoste kufizime shtesë në tregtinë me Kinën duke kërkuar që Pekini të qetësohej në provokimet e tij ndaj Tajvanit, Filipineve ose forcave ushtarake të SHBA-së në Azi.

Biden dhe Xi u takuan në nëntor në margjinat e Forumit të Liderëve të APEC 2023 në San Francisco.

Megjithatë situata mes dy superfuqive mbetet gjithnjë e tendosur.

Lufta e Ukrainës në vazhdim, pa hapa as para , as mbrapa

Pas një viti lufte mendohej që kundërofensiva e Ukrainës kundrejt Rusisë do të kishte qenë vendimtare për të arritur kontrollin në Ukrainën lindore deri në Krime.

Kundërofensiva e shumëpritur filloi në fillim të qershorit. Pavarësisht humbjeve masive të trupave ruse, rezultatet nuk ishin ato të pritura.

Në fillim të nëntorit, një nga gjeneralët madhor Ukrainas i përshkroi luftimet të futura në “ngërç”. Madje Rusia kishte fituar më shumë territor gjatë vitit sesa Ukraina.

Ndërkohë, “lodhja e Ukrainës” filloi të shfaqej në Perëndim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, pasi ligjvënësit republikanë kundërshtuan dërgimin e më shumë ndihmave në Kiev.

Duke pasur parasysh që koha do të ishte në favor të Rusisë, u rritën shqetësimet dhe thirrjet që Ukraina të kalonte nga sulmi në mbrojtje dhe të kërkonte një armëpushim.

Megjithatë është e diskutueshme nëse të dyja palët do të pranonin në këtë moment të ndalonin luftimet.

Edhe pse brenda rangjeve të ushtrisë në Ukrainë ka filluar pastrimi nga ana e Presdientit Zelensky në kërkim të fajtorit për kundërofensivën e dështuar, nuk duket se Ukraina do të ishte e gatëshme për negociata në këtë moment. Nga ana tjetër presidenti rus Vladimir Putin, ka gjithë interesin për zgjatjen e luftës përballë zgjedhjeve presidenciale ruse dhe ato amerikane në nëntor, me shpresë ardhjen sërish në fuqi të Donald Trump.

Finlanda në NATO

Finlanda dhe Suedia paraqitën një kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO pranverën e kaluar, menjëherë pas pushtimit rus. Ndërsa përparimi i Stokholmit është ende pezull, por Turqia ka dhënë tashmë miratimin e saj, së bashku me premtimin se nuk do ta kundërshtojë më aderimin e suedez në NATO.

Më herët, Turqia e akuzonte Suedinë se nuk bën mjaftueshëm kundër terrorizmit, real ose të supozuar, me origjinë kurde, si dhe se nuk ka ndaluar veprime të egra kundër Islamit siç është djegia e Kuranit nga një ekstremist i krahut të djathtë janarin e kaluar në Stokholm, Finlanda pranohet si anëtarja e 31-të në NATO.

Hamasi sulmon Izraelin, Izraeli rrafshon Gazën

Lindja e Mesme dukej në një fazë pozitive gjatë gjithë 2023. Marrëveshjet e Abrahamit kishin afruar Izraelin me vendet arabe. Dukej se dhe Arabia Saudite së shpejti mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare së SHBA-ve, Jake Sullivan, do të deklaronte “Rajoni i Lindjes së Mesme është më i qetë sot se sa ka qenë në dy dekada”.

Gjithçka u përmbys më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë në mënyrë çnjerëzore rreth 1 mijë e 200 qytetarë izraelitë, dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit. Rreth 240 persona të tjerë u morën peng.

Qeveria e Benjamin Netanyahut, në krizë përpara këtij momenti, u zotua që në kundërpërgjigje të këtij akti terrorist do të zhdukte Hamasin.

Kështu Izraeli filloi sulmet ajrore kundër Gazës dhe më pas pushtoi Gazën veriore.

Një pauzë e negociuar në luftimet në fund të nëntorit siguroi lirimin e afërsisht njëqind pengjeve. Por luftimet rifilluan shpejt me trupat izraelite që lëviznin në jug të Gazës.

Numri i vdekjeve për civilët palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, është një nga numrat më të lartë të shkaktuar brenda një kohe kaq të shkurtër. Rreth 90 gazetarë dhe operatorë të Mediave janë vrarë në luftën që Izraeli po bën në Gaza. Mbi 100 anëtarë të agjencisë së Kombeve të bashkuara, UNRËA, kanë humbur gjithashtu jetën.

Kjo do të nxiste protesta në mbarë botën kundër Izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Bashkimi Evropian kanë qëndruar në mbështetje të plotë të  Izraelit, edhe pse është më se e qartë që, zyrtarët amerikanë, por edhe ata evropianë po i kërkojnë publikisht Izraelit të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët.

Deri tani, sipas burimeve palestineze, numri i civilëve të vrarë ka kaluar mbi 20 mijë.

Ndryshimet Klimatike, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike

2023 ka qenë ndoshta viti më i nxehtë i regjistruar deri tani. Temperaturat globale nuk kanë qenë kaq të larta në 125 mijë vjet. Rezultati ka qenë ngjarje ekstreme të motit në mbarë globin, duke filluar nga zjarret të shpërndara deri te thatësira ekstreme e deri te përmbytjet rekord.

Cop28, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet Klimatike u zhvillua në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe nga 30 nëntori deri në 12 dhjetor.

Konferenca nga njëra anë bëri thirrje për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe ruajtjen e ngrohjes globale brenda kufijve të përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit në 2015, nga ana tjetër nënvizoi nevojën për zbatimin e strategjisë për frenimin e këtyre emetimeve.

Vendimet që u morën nuk mund të thuhet se ishin një sukses i madh, mbeten më shumë fjalë se vepra.

U vendos heqja graduale e karburanteve fosile deri në vitin 2050 dhe zgjerimi i energjisë së rinovueshme duke përfshirë energjinë bërthamore, përmirësimi i efikasitetit të energjisë dhe efikasiteti i transportit rrugor, zvogëlimi i përdorimit të qymyrit dhe subvencioneve të karburanteve fosile, kufizimi i rritjes mesatare të temperaturës në 1.5 gradë.

VIDEO BONUS: “Është Qeveri anti-UÇK” “Ai po i poshtëron”, Jashari e Haradinaj akuza Kurtit në Ditën e Veteranit