Bosnja kthen prapa 50 shtetas irakianë

Rojet kufitare në Bosnje dhe Hercegovinë ua ndaluan hyrjen 50 shtetasve irakianë, të cilët arritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, mbrëmjen e së enjtes.

Ata arritën në Bosnje nga Turqia, me viza turistike.

Oficerët vlerësuan se irakianët do të kalonin tranzit Bosnjën, për të arritur në ndonjë vend të Evropës perëndimore.

“Grupi do të kthehet në Stamboll, nga ku është nisur fluturimi i tyre”, tha Shërbimi i Rojës Kufitare në Bosnje, citon AP.

Të enjten, tetë migrantë u plagosën në lindje të Bosnjës, pasi makina e tyre u përmbys gjatë ndjekjes nga policia.

Migrantët që synojnë Evropën shpesh zgjedhin të hyjnë në Bosnje, përpara se të kalojnë në Kroaci dhe të vazhdojnë tutje në vende të tjera të BE-së.

Në vitin 2015, Evropa është përballur me numrin më të madh të migrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mbi një milion njerëz, kryesisht të ikur nga vatrat e luftës në Lindjen e Mesme, kanë arritur në kontinent.

Numri i tyre ka rënë dukshëm viteve të fundit, për shkak të hapave të ndryshëm që kanë marrë shtetet.

loading…