Borrell mirëpret qëndrimin e Vuçiqit për propozimin e BE-së për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të datës 23 janar, rreth propozimit evropian, i cili parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq në Bruksel.Reklama

Borrell i është referuar deklarimit të Vuçiqit para qytetarëve të Serbisë, në të cilin ka thënë se diplomatët e huaj i kanë treguar që nëse ai nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.

Presidenti serb ka thënë, po ashtu, se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është kornizë e re negociuese për Serbinë.

Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Sipas BE-së, Borell ka kërkuar sërish që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive te propozimi i BE-së.

“Ai (Daçiq) u informua në mënyrë pozitive për paraqitjen publike të presidentit Vuçiq për këtë çështje gjatë ditës së djeshme. Përfaqësuesi i lartë më tej nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të implementojnë në tërësi të gjitha obligimet e mbetura nga dialogu, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe“, është thënë mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga blloku evropian, transmeton REL.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.