Borrell: Është në interes të Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë guximin e nevojshëm politik që dialogu të ketë sukses

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në një intervistë për agjencinë MIA të Shkupit tha se “duam të bëjmë maksimumin për t’i ndihmuar Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një mënyrë për t’u pajtuar dhe normalizuar marrëdhëniet, sepse pa këtë nuk do të mund të përparojnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

Borrell tha se roli i tij është të lehtësojë dialogun dhe se ai po investon personalisht në këtë, me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është i angazhuar në diplomaci intensive të udhëtimeve ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe qyteteve kryesore të BE-së.

“Është në interesin e tyre (Kosovës dhe Serbisë) dhe në interesin e popujve të tyre që të gjejnë guximin e nevojshëm politik që dialogu të ketë sukses. Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata me aq sa mundemi, por në fund të fundit u takon atyre të marrin vendimet e tyre. Është e panevojshme të thuhet se rezultati i suksesshëm i këtij dialogu do të ketë një ndikim shumë pozitiv në të gjithë rajonin”, tha Borrell me rastin e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të shtunën në Ohër.

Sipas tij, problemi mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është një konflikt i ngrirë, por fakti që këta dy partnerë ndajnë një të kaluar problematike dhe ende nuk janë në gjendje ta kapërcejnë plotësisht këtë trashëgimi negative.

“Besoj se janë të gatshëm të gjejnë zgjidhje në tryezën e bisedimeve. Së fundi, ata duan të anëtarësohen në BE dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet bazë të bashkimit tonë. Prandaj, me dialogun e mbështetur nga BE-ja, ne po ndihmojmë Beogradin dhe Prishtinën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Borrell dhe theksoi se dialogu është një nga komponentët kyç të angazhimit të BE-së në Ballkani Perëndimor. /Ballkani.info/