Boris Tadiq: Petkoviq po gënjen opinionin serb, ushtria s’mund ta kthehet në Kosovë

Ish presidenti serb, Boris Tadiq, tash lideri i Partisë Socialdemokrate, ka njoftuar në Twitter se Petar Petkoviq, i ashtuquajtur drejtor i Zyrës për Kosovën, nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se Serbia do të shqyrtojë kthimin e njëmijë pjesëtarëve të forcat serbe të sigurisë në Kosovë.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë po e gënjen opinionin se Serbia do të “konsiderojë” kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave tona të sigurisë në Kosovë me qëllim të mbrojtjes së popullatës sonë. Dhe e vërteta është se shkuarja në Kosovë bëhet vetëm me miratimin e komandantit të KFOR-it dhe jo për atë qëllim!”, ka shkruar Tadiq.

“Pra, Zyra për Kosovë udhëhiqet nga një person që as nuk e njeh rezolutën 1244 apo që qëllimisht i mashtron qytetarët për gjoja patriotizmin e kësaj qeverie, për të mbuluar se ata i kanë dorëzuar pothuajse të gjitha levat e mbetura të shtetësia serbe pas Marrëveshjes së Kumanovës”, ka shtuar ai.

Petkoviq në një konferencë të jashtëzakonshme për media mbrëmë, deklaroi se në veri të Kosovës kanë hyrë 300 deri në 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesëtarët e njësisë speciale.

Ai gjithashtu njoftoi se, për shkak të gjithçkaje, Beogradi do të “mendojë kthimin e deri në 1000 forcave të sigurisë në territorin e Kosovës siç parashikohet në Rezolutën 1244, veçanërisht nenin 4 të kësaj rezolute, si dhe nenin 6. të Aneksit 2.” /Ballkani.info/