​Bordi i KEK-ut shkarkon zëvendëskryeshefin dhe dy zyrtarë të lartë

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka marrë vendim për lirim nga detyra të u.d. zëvendëskryeshefit Ekzekutiv Enver Gashi, si dhe ka marrë vendime për ndryshime të kuadrove edhe në pozitat e Sekretarit të Korporatës dhe Zyrtarit të Auditimit të Brendshëm.

Këtë lajm BPD e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, me ç’rast ka dhënë edhe arsyet e shkarkimit.

Ky është njoftimi i plotë i BPD:

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke pas si objektivë ngritjen e performancës, konform kompetencave dhe përgjegjësive që ka si përfaqësues i aksionarit ka marrë disa vendime të rëndësishme për korporatën.

Në këtë drejtim, me qëllim të ndryshimit të dinamikës së punës si dhe fuqizimit të proceseve në të cilat pritet të përballet korporata si në sferën e prodhimit po ashtu edhe në përmirësimin e fushës ambientale, ka vendosur si në vijim.

BPD ka marrë vendim për lirim nga detyra të u.d. zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv Enver Gashi dhe ka shfuqizuar vendimin paraprak të caktimit të z. Gashi në këtë detyrë.

BPD dhe Komisioni i Auditimit (KA) gjithashtu kanë marrë vendime për ndryshime të kuadrove edhe në pozitat e Sekretarit të Korporatës dhe Zyrtarit të Auditimit të Brendshëm.