Kombëtarja e Kosovës e ka impresionuar Florent Bojajn me paraqitjet dhe rezultatet e saj. Futbollisti kosovar, i lindur dhe rritur në Angli shpreson që një ditë t’ju bashkohet “Dardanëve”. Ëndërr e tij është të luajë në ndeshjen me Anglinë, që do të luhet në muajin shtator

Florent Bojaj është njëri prej futbollistëve të shumtë kosovarë që është lindur dhe rritur jashtë vendit shkaku i problemeve politike.

Familja e 23 vjeçarit kishte arritur në Britaninë e Madhe në vitet e 90-ta kur lufta në Kosovë po fillonte.

Mirëpo, ai nuk e harron asnjëherë vendin e prindërve të tij, vendin prej nga vjen.

Sulmuesi e përcjell vazhdimisht ekipin kombëtar të Kosovës, i cili e ka impresionuar këto vite me paraqitjet dhe rezultatet që i ka arritur.

Prandaj, futbollisti ofanziv shpreson që një ditë të ftohet nga “Dardanët”.

“Njëri prej objektivave të mi për momentin është ta marr ftesën nga Kosova. Së fundmi e kam marrë pasaportën kosovarë dhe menaxheri im ka biseduar me disa njerëz të Federatës së Kosovës. Ata i kanë shikuar disa nga ndeshjet e mia dhe kanë thënë se do të vazhdojnë të më vëzhgojnë. 100 për qind, një ditë do të luaj për Kosovën”, ka thënë fillimisht Bojaj për mediat britanike.

Ai nuk e fsheh ëndrrën e tij për të luajtur në ndeshje me Anglinë në muajin shtator, edhe pse një gjë e tillë duket mjaft e vështirë të ndodh.

“Kur e kam parë grupin, isha i shokuar paksa. Unë vetëm po shpresoj të luaj për ta. Do të ishte e mirë të luaj kundër Anglisë”, ka përfunduar Bojaj, i cili kishte luajtur për Kombëtaren shqiptare U-17.

Dashuria për futbollin e kishte ndihmuar Bojajn që ta niste një jetë të re, ndërsa e kishte filluar karrierën në Boreham Wood, ku i ishte bashkuar ekipit të të rinjve të Huddersfield.

Pasi e kishte bërë debutimin në Championship si adoleshent, ai ishte huazuar në sezonin 2016-2017, fillimisht në Premierligën skoceze në ekipin Kilmarnock, e më pas në Newport County AFC, ku nuk kishte kaluar sa duhet mirë.

Bojaj ishte njëri prej 12 arritjeve të reja në Rodney Parade në janar të vitit 2017.

Bojaj ishte lodhur duke u huazuar prandaj ishte në kërkim të një klubi ku do të qëndronte në një periudhë më afatgjate.

Nga viti 2018, ai është pjesë e klubit bullgar, Etar Veliko Tarnovo.

loading…