Bogdanoviqi paditë Aleksandar Vuçiqin për deklaratën e tij se ai është narkodiler

Sekretari i Përgjithshëm i Institutit për Strategji Euro-Atlantike të Kosovës, Boban Bogdanoviq, ka ngritur padi kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd për shpifje dhe cenim të nderit.

Për kompenzim të dëmit jomaterial, Bogdanoviqi kërkon nga Vuçiqi 300.000 dinarë.

Bogdanoviqi e paditi Vuçiqin sepse presidenti serb në një konferencë për shtyp më 8 gusht 2023, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka thënë se Bogdanoviqi është tregtar droge dhe ka 13 dënime.

“Ai Bogdanoviqi nuk është shumë i rëndësishëm, ai është thjesht shërbëtori i Kurtit në Kosovë, përndryshe ka qenë narkodiler dhe gjithçka tjetër, ka trembëdhjetë aktgjykime, kështu që ata e mbajnë për këtë dhe ai na udhëheq protestat, d.m.th., ai është lideri i protestave, por as kjo nuk është me rëndësi, ishte edhe ky tjetri shtetasi kroat, Ponosh, i cili gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për letrën e atyre “që e urrejnë Serbinë”, të jem plotësisht i sinqertë, dhe që kërkojnë që ne ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe të heqin dorë nga Republika Serbe”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton n1

Bogdanoviq ka njoftuar se do të ngrejë padi kundër presidentit të serb para institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Kjo padi është një përpjekje për të shpëtuar jetën time. Në atë konferencë për gazetarë, Vuçiq u përpoq të krijojë një atmosferë se unë jam shpërndarës droge dhe se jam i afërt me qarqet kriminale. Nëse më ndodh, atëherë këto gënjeshtra absolute do të përdoren si shpjegim për atë që po më përgatitet. Njerëz nga strukturat e sigurisë më kanë thanë se është vendosur që të likuidohem deri në fund të vitit, në mes tjerash, edhe për shkak të provave që kam paraqitur më herët për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Bogdanoviq për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Ai më herët ka treguar për media detajet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit që i kishte treguar miku i tij i ngushtë nga grupi “Principi”, Velko Bellivuk.