Bodo Weber e Toby Vogel: Lajçak nuk bën për ndërmjetës, është proserb dhe nga vendi që nuk e njeh Kosovën

Bodo Weber dhe Toby Vogel, bashkëpunëtorë të lartë të Këshillit për Politikë të Demokratizimit në Berlin e Bruksel, përmes një analize për EUobserver pohojnë se Mirosllav Lajçak nuk do të ishte i përshtatshëm për të dërguar special të BE-së për Beograd e Prishtinë. Ndër shumë shkaqe që rreshtojnë në favor të pohimit të tyre ata veçojnë si fakt kryesor se vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në tekstin me titull “Pse Mirosllav Lajçak është zgjedhje e gabuar për të deleguar të BE-së”, ata vlerësojnë, shikuar sipërfaqësisht, se Lajçak vepron si dikush që ka kualifikimet e nevojshme për këtë funksion, meqë flet gjuhën serbe dhe ka qenë i dërguar i BE-së për mbikëqyrjen e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi më 2006, dhe përfaqësues special i BE-së për BeH nga 2007 deri më 2009, kur ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të lartë , dhe thonë se di edhe të “notojë” në burokracinë e Brukselit.

“Pavarësisht nga këto kualifikime, Lajçak është njeriu i gabuar për shumë arsye”, konsiderojnë Vogel e Weber.

Ata në plan të parë theksojnë se Sllovakia është njëra nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse Spanja, nga vjen Josep Borell, i cili në dhjetor u emërua shef i diplomacisë i BE-së.

Duke rikujtuar se nëse do të emërohej Lajçak, të dy diplomatët e BE-së të pozicionuar lartë, të ngarkuar për çështjen e Kosovës, do të ishin nga vende anëtare që nuk e njohin Kosovën, por që janë pakicë në BE, dhe ata do të mbikëqyrnin negociatat të cilat, sipas tyre, duhet të përfundojnë asisoji që “Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës”.

“Kështu do të dërgohej sinjal i fuqishëm se BE mban anë”, thonë ata të dy dhe theksojnë se kjo do të thoshte mbështetje për presidentin e Serbisë, të cilin e konsiderojnë gjithnjë e më shumë autoritar në prag të zgjedhjeve.

Si arsye tjetër ata theksojnë se Lajçak ka “histori dështimesh politike në Ballkan”.

Si përfaqësues special i BE-së dhe përfaqësues i lartë në BeH, Lajçak ka marrë pjesë “në konfliktet serioze politike” në anën e përfaqësuesit të serbëve në BeH, Millorad Dodikun.

Konflikti u mbyll, thonë këta, me tërheqjen fyese të Lajçakut, ndërsa mori edhe reputacionin se është i dobët karshi Dodikut dhe se është me prirje proserbe.

Si arsye të tretë Vogel e Weber theksojnë se Lajçak ka një histori të vënies së ambicieve personale e profesionale mbi misionin që i është besuar.

“Pas një viti e gjysmë braktisi me nguti pozitën në Sarajevë, me sqarimin se nuk mund të refuzojë ofertën e Robert Ficit, kryeministrit të atëhershëm të Sllovakisë, që t’i prijë diplomacisë së atij vendi, në mënyrë që vite më vonë ta gropos pasardhësin e tij në Sarajevë”, pohojnë ata.

Vogel e Weber shtojnë, duke u mbështetur në burime anonime, se Lajçak ka kërkuar portofol shumë më të gjerë se negociatat midis Beogradit e Prishtinës, “ndonëse e di mirë se kjo vetvetiu është punë me orar të plotë”

Si arsye të fundit ata theksojnë se Lajçak ka mbetur anëtar i Qeverisë në Bratisllavë, ndonëse kryeministri Fico ishte detyruar të japë dorëheqje pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kucijakut.

“Në rajonin i cili po lufton me sulme zyrtarë të fuqishëm nëpër media, jo vetëm në Serbi, emërimi i Lajçakut do të dërgonte mesazh plotësisht të gabuar, duke ofruar edhe një ilustrim të asaj që qytetarët e Ballkanit shohin si model të dështimit të zyrtarëve të BE-së”, vlerësojnë Vogel e Weber, transmeton Koha.net.

Vogel e Weber konsiderojnë se emërimi i Laçakut po ashtu do të rrezikonte paralajmërimin kohë më parë të ringjalljes së politikës së zgjerimit të BE-së. “Prandaj shtetet anëtare të BE-së duhet të pengojnë këtë emërim”, konkludojnë Vogel e Weber.

Ata propozojnë që i dërguari i ardhshëm në radhë të parë duhet të vijë nga vendi që e njeh Kosovën.