Bllokoi trafikun tek Unaza e Re për një video në “Tik Tok”, e pëson 21-vjeçarja

Drejtuesja e mjetit “Mercedes Benz” që ndaloi një ditë më parë në mes të rrugës në Unazën e Re për të bërë një sfidë në “Tik Tok”, është proceduar penalisht. Burimet zyrtare bëjnë me dije se 21-vjeçarja me inicialet V.D., banuese në Tiranë, ka rezultuar edhe e papajisur me leje drejtimi.

Ajo është gjobitur me 50.000 lekë të rinj (500 mijë lekë të vjetra), për veprime të  ndaluara në rrugë, ndërsa mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Nisur nga publikimi në media sociale, i një videoje ku shfaqej një shtetase, e cila nga verifikimi rezultoi se më datë 22.08.2021, kishte ndaluar automjetin në karrexhatë, në rrugën “Teodor Keko” dhe së bashku me pasagjeret që udhëtonin me të, kryente veprime të ndaluara në rrugë, duke krijuar një gjendje të rrezikshme dhe bllokim të trafikut, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, pasi identifikuan zonën dhe të dhënat e automjetit, bënë të mundur konstatimin dhe shoqërimin e automjetit”.

Gjithashtu, kjo shtetase u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, për veprime të  ndaluara.