Bllokimi i pikave kufitare me Serbinë paraqet pengesa për prodhuesit vendor në Kosovë

Pikat kufitare me Serbinë në Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak të cilat janë të mbyllura nga dita e hënën në mbrëmje, paraqesin pengesa për bizneset eksportuese në Kosovë.

Dy pronarë të bizneseve në vend kanë pranuar për KosovaPress nuk kanë arritur të eksportojnë mallrat e tyre në vendet drejt BE-së përmes Serbisë.

Kështu mallrat e tyre të destinuara për tregun evropian janë bllokuar në pikën kufitare në Merdare.

Madje, disa kamionë me prodhime vendore janë detyruar të kthehen prapa dhe të gjejnë rrugë alternativë për të eksportuar mallin kryesisht përmes Shqipërisë.

Ndërsa, njohës të ekonomisë dhe prodhuesit vendor kërkojnë nga Qeveria që të gjejë një zgjidhje që tju dalë në ndihmë bizneseve.

Përkundër rrezikut se mund ta humbasin mallin, prodhuesit kosovarë thonë se do të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tyre më e rëndësishme se eksporti është shteti i Kosovës.

Njëri nga prodhuesit vendor, Shaqir Palushi thekson për KosovaPress për vështirësitë që po kalon ky biznes gjatë eksportit në 24 orët e fundit në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Ai derisa thotë se janë duke u munduar të gjejnë rrugë alternative për të eksportuar, thekson se janë rreth 10 kamionë që kanë mbetur në pikat kufitare, porse një pjesë e tyre janë detyruar të kthehen prapa.

“Kompania jonë çdo ditë ka eksporte në vende të ndryshme, kryesisht në vendet e BE-së dhe si pasojë e mbylljes së kufirit në 24 orët e fundit, ne shumicën prej këtyre eksporteve jemi detyruar t’i ndërpresim ose të gjejmë rrugë alternative përmes Shqipërisë dhe Italisë. Natyrisht se kjo e rrit koston, por për neve më e rëndësishme së eksporti është Kosova dhe do të mbështesim çfarëdo vendimi të Qeverisë…1:13 Janë rreth 10 kamionë, dhe një pjesë e tyre janë kthyer prapa dhe po shohim alternativa tjera”, thekson Palushi.

Edhe pronari i një kompanie tjetër vendore që eksporton mallra në vende të BE-së, Ramiz Gashi tregon se i ka tre kamionë të bllokuar me mallra në kufi, porse siç thotë ai mbetet sfidë për ta gjetja rrugëve alternative për eksport.

“Për momentin i kemi tre kamionë të gatshëm që janë për eksport dhe deri tash asnjë prej kompanive që kemi bashkëpunuar nuk janë të gatshme të shkojnë në rrugë alternative. Prej, qeverisë nuk kemi kërkuar ende ndonjë ndihmë, sepse është dita parë dhe nuk e dimë se çfarë do të ketë ndihmë në këtë rast…Aty janë rreth 100 ton të gatshëm për transport…Vendet që kanë pas të eksportohen janë Anglia, Kroacia, Gjermania dhe Franca… Për momentin duhet të shikojmë rrugët alternative siç është Mali i Zi, mirëpo deri më tani transportuesit të cilët bashkëpunojmë nuk janë të gatshëm të operojnë në atë drejtim, shkaku i kostos”, thotë Gashi.

Sipas Gashit kjo bllokadë është humbje për biznesin pasi që rrezikohet humbja e tregjeve, megjithatë ai kërkon nga Qeveria që të bashkëpunojë me bizneset.

“Sigurisht se do të jetë shumë e dëmshme pasi ne kemi punuar shumë për të fituar këtë treg, dhe rreziku i madh është se do ta humbim përgjithmonë, dhe ajo çfarë humbet nuk kthehet më…Kishte me qenë mirë që qeveria të bashkëpunojë me ne bizneset, ne do t’i respektojmë vendimet por kish me qenë mirë të jetë bashkëpunuese me ne”, thotë mes tjerash Gashi.

Kjo situatë e krijuar në vend konsiderohet të jetë e dëmshme për ekonominë e vendit e thotë edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi.

Profesori Skenderi thotë për KosovaPress se situatat politike me Serbinë po luftohen me anë të ekonomisë, megjithëse sipas tij kjo sjell humbje për prodhuesit vendor.

“Mbyllja e përhershme e kufirit me Serbinë në këto relacione do të sjellë pasoja negative për ekonominë, sepse zinxhiri i furnizimit që bizneset e Kosovës janë duke u furnizuar në Serbi edhe pse s’kemi marrëdhënie ekonomike zyrtare me të, por bizneset e kanë gjetur formën e vet të veprimit me bizneset e Serbisë”, thotë Skenderi.

Mes tjerash, ai thotë se kjo situatë, sjell edhe pasoja të inflacionit, sepse sipas tij mungesa e mallrave dhe shërbimeve në treg që janë për momentin zvogëlohen, natyrshëm do të behet edhe ngritja e çmimeve tek produktet.

Ai shton se qeveria duhet të gjejë një zgjidhje që t’i dalë në ndihmë bizneseve.

“Qeveria duhet të gjejë të gjejë zgjidhje dhe përmes faktorit ndërkombëtar këtu në kufi dhe t’i lejojë këto maune të cilat janë duke sjellë mallra në Kosovë dhe të depërtojnë. Do duhej të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë politike që të hapen kufijtë”, thotë Skenderi.

Pikat kufitaret me Serbinë vazhdojnë të mbesin të mbyllura edhe sot për kamionë dhe autobusë.

Që nga dita e hënë në mbrëmje në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova dhe anasjelltas.

Ministria e Jashtme ka njoftuar se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.