Blindohet vila e Vis Martinajt, 2 arsyet që ngritën në këmbë FNSH

Bastisja e befasishme e shtëpisë së mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj 5 muaj pas zhdukjes së tij dyshohet se ka 2 arsye të forta.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA kanë zhvilluar kontrolle në shtëpinë në Fushë-Kuqe të Kurbinit me vendim gjykate në kuadër të hetimeve për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë zonë, përfshirë edhe zhdukjen e Ervis Martinajt që prej datës 8 gusht 2022.

Duke qenë se ende nuk është zbardhur fati i Martinajt, deri më tani kanë qarkulluar dy versione të mundshme, rrëmbimi dhe vrasja e tij, apo inskenimi i zhdukjes nga vetë ai. Nisur nga pista e fundit dyshohet se aksioni në Fushë Kuqe ka ardhur pas disa informacioneve se në banesën e Ervis Martinajt ka lëvizje. Nuk është përjashtur mundësia se ai mund të shfaqej në zonë apo pranë familjes së tij pas 5 muajsh i shpallur si i zhdukur në këtë festë. Megjithatë ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi këto dyshime.

Që prej zhdukjes së Martinajt më 9 gusht të këtij viti policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete.