Blerta Deliu: Hoti po nxiton të shkojë në takim me Vuçiqin

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, po e konsideron joserioze ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për mbajtjen e takimit të liderëve për çështjen e dialogut.

Ajo po thotë se Hoti duhet të shkojë në Kuvend me një platformë të qartë dhe të diskutohet aty në mes të deputetëve.

“Nuk mund të shkosh në Bruskel pa një plan të detajuar me parime dhe konsensus të partive. Ftesa e e Hotit ka qenë absolut e papranueshme për ne sepse këto s’janë aspak serioze dhe po bëhen nëpër studio. Ftesat, agjendat, temat nuk mund të zhvillohen askund tjetër përveç se në Kuvend. Prandaj, po e konsiderojmë ftesë joserioze”, tha ajo mbrëmë në Klan Kosova.

Deliu tha se kjo ftesë ka qenë sa për sy e faqe dhe vetëm sa për të konfirmuar se Hoti është i hapur për të diskutuar.

“Është thelbësore që të ulet të diskutohet për formatin se a do të jetë teknik pa një marrëveshje reciproke dhe natyrisht për temat që do të diskutohen atje. Hoti ka bërë shpërfillje të madhe me opozitën për dialogun. S’kemi marrë ftesë zyrtarisht, por natyrisht një thirrje që është parë në media”, ka pohuar ajo.

Deliu ka kritikuar politikën e jashtme dhe qasjen e dialogut të Hotit duke thënë se platforma e tij ka qenë e zbehtë, pa detaje dhe pa saktësi.

Deputetja e PDK-së po ashtu hodhi kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit që s’e priti presidentin për të shkuar në dialog me Serbinë.

“Ka një nxitim të Qeverisë për të shkuar dhe të dialoguar për t’u ulur me presidentin Vuçiq. Është dashur që të ketë shtyrje të dialogut dhe të pritej kthimi i presidentit që të ketë edhe një dakordim me presidentin dhe të ketë dakordësi mes forcave politike”, ka thënë Deliu, njofton Klan Kosova.

Deliu ka mohuar se PDK do të lidhë koalicion me partnerët aktualë qeverisës apo se ka ndonjë marrëveshje politike me ndonjë parti.

Po ashtu, ajo është kundër që të ketë ndonjë iniciativë të përbashkët me Vetëvendosjen për t’ia prishur Qeverinë Hotit.

“Nuk duhet të angazhohemi për rrëzimin e Qeverisë sepse jemi në kohë të pandemisë”, tha ajo.