Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në një intervistë për Ballkani.info ka thënë se PDK-ja është duke iu kthyer mërgatës dhe krejt kjo falë angazhimit më shumë se dy viteve që kjo parti e ka bërë.

“Absolutisht se ka pasur nevojë që Partia Demokratike e Kosovës t’i kthehet mërgatës dhe në këtë periudhë është bërë punë intensive, veçanërisht në dy vitet e fundit, për të qenë afër nevojave të cilat i ka mërgata, natyrisht edhe me kandidatin tonë për kryeministër kanë qenë takime jashtëzakonisht të mira”, ka thënë Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së ka treguar edhe vizitat e fundit të cilat kjo parti i ka realizuar në mërgatë, duke shtuar se mërgata duhet të jetë pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Ka triumfuar entuziazmi i jashtëzakonshëm që e kemi parë në Hanover, Këln, Shtutgart, Bazel, Milano. Unë jam e bindur që ka një potencial të jashtëzakonshëm që të duhet të jetë në funksion të shtetit të Kosovës. Mërgata nuk duhet të shihet vetëm si nevojë për të mbështetur financiarisht Kosovën, por gjithsesi faktor i rëndësishëm që të zhvillojë dhe të ketë një bashkëpunim të ardhshëm me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Deliu – Kodrës mërgata është e informuar për çdo zhvillim që ka ndodhur në vend duke i përfshirë edhe skandalet e raportuara së fundi.

“Në fakt nëse i shihni sallat e mbushura, angazhimin, entuziazmin por edhe diskutimet, mërgata sot është e informuar saktësisht se çfarë po ndodhë me Kosovën. Jo vetëm procesi i liberalizimit të vizave që e ka ofruar mërgatën edhe më shumë, por ata vijnë shumë shpesh në Kosovë dhe janë të brengosur e të shqetësuar me stangnimin ekonomik të cilin e kemi parë me ikjen e madhe të qytetarëve të Kosovës. Prandaj ky entuziazëm, kjo energji e tyre padyshim flet për një nevojë për ndërrimin e pushteteve”, tha tutje ajo.

“Nuk është kjo mërgata e ashtuquajtur nga kryeministri me terme të cilat ai i ka quajtur disa herë. Mërgata është ajo e cila e meriton që ta ketë vendin edhe në Kuvendin e Kosovës edhe në Qeverinë e ardhshme dhe t’i kthehet absolutisht ministria që iu ka shërbyer këtyre njerëzve dhe të mos i kemi potencial që të shfrytëzohet vetëm për vota, por të jenë potencial për ta bërë Kosovën edhe më të fuqishme”, tha në fund Deliu-Kodra.

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë të zonjës Bleta Deliu-Kodra: