Blerta Deliu – Besnik Bislimit: A ju ka marrë gjumi? Se jemi bë merak

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi oo raporton në Komisionin për Integrime Europiane.

Aty, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e priti duke e pyetur për gjumin.

“A ke flejt zëvendëskryeministër? A ke flejt? A ju ka marrë gjumi? Se jemi bë merak”, i tha Deliu.

“Mirë, ju?”, ishte përgjigjja e Bislimit.

Bislimi kishte deklaruar në dhjetor të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kur LVV-ja fitoi 50.28% të votave, se kishte probleme me gjumin si pasojë e rritjes së madhe të partisë.

Kur ato fjalë të Bislimit sikur ishin harruar, kryeministri Albin Kurti e ktheu të dielën në vëmendje ‘problemin’ e zëvendësit të tij me gjumin.

Duke folur për udhërrëfyesin me Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për faturimin e rrymës në veri të vendit, Kurti tha se Bislimi bie në gjumë dhe zgjohet në mëngjes me preokupimin e regjistrit të konsumatorëve.

“Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasë dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha Kurti.