Analisti dhe eksperti i statistikave, Bleron Baraliu, ka reaguar pas debatit të fundit politik, duke e cilësuar atë si një përballje ku disa figura opozitare shkëlqyen dukshëm, ndërsa përfaqësuesi i pushtetit u përball me sfida të mëdha.
Sipas Baraliut, Besnik Tahiri ishte “fituesi i padiskutueshëm i debatit”, duke e përshkruar si të qartë, të mprehtë, të drejtpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të saktë. Ai thekson se, ndonëse nuk e njeh personalisht Tahirin, performanca e tij ishte mbresëlënëse, duke e krahasuar me një “ujk të vërtetë” në debat dhe duke shtuar se ai e “nokautoi” kundërshtarin e tij, Glauk Konjufcën.
Baraliu shkon edhe më tej, duke shprehur dëshirën që në të ardhmen Tahiri të jetë në krye të AAK-së, ndërsa pranon se për herë të parë po mendon seriozisht ta votojë këtë subjekt politik.
Vlerësime të larta ai ka dhënë edhe për Vlora Çitakun, për të cilën thotë se zhvilloi një debat opozitar shumë më efikas sesa e gjithë opozita përgjatë dhjetë muajve të fundit. Sipas tij, ajo arriti ta ngushtojë ndjeshëm Glauk Konjufcën në debat, duke e cilësuar performancën e saj si jashtëzakonisht të fuqishme.
Në analizën e tij, Baraliu përmend edhe Lutfi Hazirin, të cilin e konsideron konstruktiv, preciz dhe substancial. Ai shpreh keqardhje që Haziri nuk është në krye të listës së LDK-së, duke sugjeruar se është më i përgatitur dhe më i shkathët se lideri aktual i partisë. “I ka dhënë frymë LDK-së”, shkruan Baraliu.
Megjithatë, analisti nuk e anashkalon as performancën e Glauk Konjufcës, të cilën e përshkruan si të fortë dhe racionale, pavarësisht se, sipas tij, rrethanat dhe faktet politike ishin tepër të pafavorshme. Baraliu vlerëson se Konjufca ishte “zë i arsyes dhe konstruktivitetit”, por e cilëson atë si humbës të debatit, duke shtuar se nuk beson se as kryeministri Albin Kurti do të kishte mundur të bënte më shumë në atë situatë.
Në përfundim, Baraliu deklaron se është në dilemë për vendimin e tij elektoral, por pranon se pas asaj që e quan “zbulim i talentit” të Besnik Tahirit, është e vështirë të mos e votojë atë personalisht, edhe pse mbetet i pavendosur për votimin e AAK-së si parti.







