Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 51-vjeçarin kosovar, Ylber Ademi, i cili u kap me armë dhe municione luftarake.
Togat e zeza vendosën të lënë në qeli Ademin deri në përfundim të hetimeve, ndërsa para trupit gjykues qëndroi i heshtur, duke deklaruar se do shprehet në një moment të dytë.
51-vjeçari u ndalua të martën e 13 gushtit, në rrugën nacionale Elbasan – Peqin, teksa po transportonte 19 pistoleta, 400 fishekë luftarakë dhe 1.6 kg tritol të tipit TNT.
Për zbulimin e këtij rasti të trafikimit të armëve, informacionet janë marrë që në 24 qershor, ku fillimisht janë vënë në lëvizje shërbimet inteligjente. Pas indiceve të para ai është kapur me një pistoletë por është lënë i lirë në mënyrë që të kryehej zbulimi i aktivitetit të paligjshëm që kryente.
Më pas policia për ta faktuar këtë rast ka kryer blerje të stimuluar, dhe e ka mbajtur nën vëzhgim për të bërë të mundur edhe zbardhjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Në bazë të kontrolleve të ushtruara nga ana e policisë mësohet se nuk kanë rezultuar persona të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë burimet bëjnë të ditur gjithashtu se Ademi i shiste pistoletat me një çmim shumicë 500 deri në 700 euro. Sipas policisë municionet ai i siguronte kryesisht në Serbi, e më pas i transportonte përmes Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Për të kaluar pa u zbuluar ai kishte krijuar vende të posaçme në automjet, në motor, kabinë, bagazh e kroskot.
Ndërkaq pas verifikimit të të dhënave policia bën të ditur se ai kishte shitur edhe më parë armë luftarake në Shqipëri Kosovë e vende të tjera.







