“Telekom Srbija” ka ofertuar shumën më të lartë për ta blerë kompaninë telefonike numër dy në Kosovë, “IPKO”, mirëpo Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) thotë se nuk kanë asnë njoftim zyrtar për këtë, dhe se janë njoftuar përmes mediave për këtë çështje.
Gazeta Metro ka raportuar ekskluzivisht të martën se “Telekom Srbija” ka ofertuar 155 milionë euro për blerjen e kompanisë “IPKO”. Oferta e kompanisë serbe është nga më të lartat ndër 10 ofertat që deri tani ka pranuar në Lubjanë kompania sllovene që ka në zotërim dhe përfaqëson të gjitha aksionet kompanisë “IPKO”.
Ende asgjë zyrtare nuk ka për blerjen e operatorit IPKO nga Telekomi i Serbisë, kështu ka thënë anëtari i bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Shqipërim Pula gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomi dhe Tregti.
Derisa ka theksuar se për një proces të negociatave ndërmjet Telekomit të Sllovenisë dhe atij të Serbisë janë njoftuar nga mediat.
“As edhe njoftim zyrtar ne si ARKEP nuk kemi për atë që është thënë në media. Por, nevoja e ndërhyrjes së shtetit është e nevojshme gjithnjë për sigurinë kombëtare. Unë personalisht nuk do ta nënshkruaja një licencë të tillë”, tha ai.
Derisa, Pula ka thënë se këto qarkullime në media mund të jenë edhe spekulim, tha se nga 5 korriku ka filluar procesi i shitjes së IPKO-s.
“Nëse ndodhë një dyshim I subjektit vjen kah ne, por meqe neve s’na ka ardhur asnjë njoftim zyrtar ne s’kemi kërkuar informata zyrtare nga IPKO”, tha ai.
Anëtari i komisionit, Hekuran Murati tha se papërgjegjësia e ARKEP është pasi nuk ka kërkuar zyrtarisht procedurat për shitjen e këtij operatori, në këtë rast të IPKO-s.
Derisa Pula ka thënë se ka takuar zyrtarë të Qeverisë për atë që ka qarkulluar në media lidhur me interesimin e Telekomit të Serbisë për IPKO. Ai ka thënë se bordi ka mandat për vendimmarrje është funksional në ARKEP.
Kompania serbe “Telekom Srbija” sot edhe zyrtarisht ka konfirmuar raportimet e Gazeta Metro duke njoftuar për televizionin publik serb “RTS” se nuk mund të japin detaje më të shumta , për shkak të marrëveshjes për mos zbulimin e informacionit.
“Telekom Srbija ka dorëzuar ofertën jo obliguese për blerjen e kompanisë IPKO. Për shkak të marrëveshjes për mos zbulimin e informacionit, të cilin e kemi nënshkruar gjatë këtij procesi, deri në mbylljen e tenderimit nuk guxojmë të dalim me informacione më të detajuara. Është e ditur se Telekom Srbija ka ambicie të qartë të shtrijë biznesin e saj, kështu që edhe kjo ofertë paraet një hap drejt realizimit të këtij synimi” thuhet në përgjigjen e kompanisë serbe.







