Dinari serb

Bislimit i pëlqen propozimi i Lajçakut, Petkoviqi lyp kohë – pas dy javësh përsëri negociata në Bruksel

Rundi i ri i takimeve Kosovë-Serbi në Bruksel në nivel kryenegociatorësh për gjendjen e krijuar pasi Kosova ndaloi transaksionet me dinarë s’prodhoi marrëveshje. Ndërmjetësi Miroslav Lajçak tha se pati përafrime të qëndrimeve derisa shtoi se diskutimet do të vazhdojnë së shpejti mbi bazën e një propozimi kompromisi që e ka bërë BE. Bislimi e lëvdoi idetë e Lajçak, derisa bashkëbiseduesi i tij nga Beogradi i bëri reklamë propozimit të vet duke thënë se është zgjidhje e balancuar. Sidoqoftë, asnjëra palë, përfshirë BE’në, s’dhanë detaje se cila është alternativa që po diskutohet për pagesat që ua jep Beogradi serbëve të Kosovës.

Bashkimi Europian të enjten ka qenë nikoqir edhe i një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje pas ndalesës që Kosova u ka bërë transaksioneve me dinarë. Kjo është hera e tretë që palët shkojnë atje. Në takimin e parë në Bruksel kishte udhëtuar Guvernatori i BQK’së, ndërsa Kryenegociatori Bislimi kishte refuzuar me arsyetimin se bëhej fjalë për një vendim të pavarur të BQK’së. Por, vizita e Emisarit Amerikan Gabriel Escobar ndryshoi gjërat. Bislimi sot ishte pjesë për herë të dytë e diskutimeve për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme apo gjetjen e mënyrës se si serbët lokalë t’i marrin ndihmat e tyre nga Serbia. Kosova insiston që ato para të hyjnë në Kosovë nëpërmjet sistemit bankar dhe në euro – assesi në dinarë cash. Kryeministri Kurti dje nga Mitrovica e Veriut tha se Zëvendësi i tij s’ka mandat të negociojë rregulloren e BQK’së. Sidoqoftë, asnjë detaj nuk është dhënë se çfarë po diskutohet saktësisht, çfarë përmbajnë propozimet, përveçse Zëvendëskryeministri Bislimi sot tha se Beogradi ka insistuar që të licencohet një bankë.

Pas një takimi disaorësh që zhvilloi në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, Bislimi tha se “edhe sot kemi pas dallime të mëdha”.

Para se të fajësonte palën serbe për mosarritjen e pajtimit, Bislimi u ankua se po ka gabim në informim dhe se ai s’është atje për dinarin, por për të gjetur një zgjidhje se si Serbia mund t’i mbështesë financiarisht serbët në Kosovë.

“Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së. Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin”.

Kryenegociatori Bislimi tha se pala serbe ka insistuar në licencimin e “Postanska Banka” në Kosovë, për të cilën ai tha se s’është kompetencë e palëve.

“Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Atyre i është bërë e qartë javën e kaluar që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serbë mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokatë të “Postanska Banka” dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira”.

Por kësaj here palës kosovare  i pëlqeu propozimi i Lajçakut, i cili shpesh kritikohet ashpër në Prishtinë.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, z. Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”.

Më i shkurt se Bislimi në prononcim ishte kryenegociatori serb, i cili s’preferoi të flasë më shumë meqë “do të ketë takim tjetër”. Ai ia hodhi fajin palës kosovare se nuk pati vullnet për zgjidhje.

“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.

Pasi u deklaruan të dy kryenegociatorët, emisari Lajçak doli me një njoftim mbi takimin e sotëm. Për dallim nga Bislimi e Petkoviq, Lajçak tha se pati pak përafrim.

“Isha nikoqir i një tjetër diskutimi me dy kryenegociatorëve për një zgjidhje të përkohshme për personat që u preken nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të përafrojmë disa qëndrime nga propozimet e palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar Lajçak në X.

Edhe në takimin e ardhshëm, Bislimi tha se për Kosovën s’mund të pranohet një zgjidhje që ka diçka jolegjitime brenda

“Ligjërisht në Kosovë, nuk ka “Postanska Banka” dhe një nga principet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj, rrjedhimisht diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Mendoj që kjo është bërë e qartë palës serbe dhe gjatë javës së kaluar e sot në mënyrë të qartë edhe nga z. Lajçak”, tha sot Bislimi.

VIDEO BONUS: