Bislimi takon ambasadorin e Austrisë në Kosovë, flasin edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Ambasadori Ëeidinger e uroi zëvendëskryeministrin Bislimi për detyrën dhe përgjegjësitë e reja. Ai theksoi se Austria do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Republikës së Kosovës, sikurse dhe popullin e Kosovës, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Në komunikatën për media thuhet se, Bislimi veçoi fushën e arsimit të lartë dhe atë të investimeve direket si pika kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Austrisë ia ka dhënë Kosovës, dhe theksoi vullnetin dhe gatishmërinë për të shtuar bashkëpunimin edhe në fusha të ndryshme me interes për të dyja vendet.

Ambasadori Weidinger dhe zëvendëskryeministri Bislimi diskutuan edhe për situatën me pandeminë Covid-19 në Kosovë, vizitën e kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrave Bislimi e Gërvalla në Bruksel, si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Në mbyllje të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për vizitën, duke uruar që bashkëpunimi në mes të dy institucioneve që përfaqësojnë të thellohet edhe më shumë.