Bislimi s’pranon të japë detaje para mediave për planin franko-gjerman, mbyllet komisioni

Komisioni për Diasporë dhe Politikë të Jashtme e ka mbyllur për media takimin në të cilin po raporton kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, lidhur me planin franko-gjerman. Mbylljen e ka bërë kryetari i Komisionit, Haki Abazi, duke marrë për bazë deklaratat e vazhdueshme të Bislimit se kur flitet për dialogun nuk mund të shpalosë gjithçka në prani të kamerave.

“Ka dakordim të mos diskutohen elementet përbërëse të planit. Kur të më thirrni për të raportuar është mirë ta kuptoni se jemi duke folur jo për tymtarin e KEK-ut, por për dialogun”, ka thënë Bislimi derisa vetëm ka konfirmuar se kryeministri Kurti të martën në mëngjes e ka pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman.

Kryetari i Komisionit ka reaguar duke kërkuar nga Bislimi që të përgjigjet në pyetjet që i bëhen, ndërkaq kur mendon se seanca duhet të mbahet e mbyllur të tregojë.

“Përgjigju aty ku mundesh, komentet lëri, në momentin që mendon se mund të shkojmë me seancë të mbyllur rekomandon dhe shkojmë me seancë të mbyllur”, ka thënë Abazi.