Zëvendëskryeministri

Bislimi shpreh mirënjohje për miqësinë dhe partneritetin Kosovë-Francë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Paris në një takim me nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Jean Louis Bourlanges, dhe kryetarin e komisionit për Punë të Jashtme, Arhtur Delaporte, ka shprehur mirënjohje për raportet Kosovë-Francë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen ndaj shtetit të Francës për miqësinë e partneritetin e ngushtë. Ai i informoi znj. Rabault, z. Bourlanges dhe z. Delaporte mbi sukseset, arritjet e objektivat tutje të Republikës së Kosovës veçanërisht në zhvillim ekonomik e sundim të ligjit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë të enjten pasdite.

Bislimi ka thënë se integrimi evropian është prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe se Kosova është e përkushtuar në zbatim reformash e avancim në rrugëtimin evropian.

“Në vazhdimësi po dëshmojmë që jemi gati për hapa tutje, të mbështetur jo vetëm nga gatishmëria e niveli i përgatitjes së institucioneve tona, por edhe nga vullneti e përkrahja qytetare për këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e qasje të barabartë për të gjitha shtetet”, thuhet në njoftim.

Në takim është diskutuar edhe për dialogun dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Sa i përket zhvillimit ekonomik, “u potencua rëndësia për shpërndarje të barabartë e rritje të qëndrueshme”.

Mirënjohja e Bislimit për raportet Kosovë-Francë vjen dy ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron “tronditi” opinionin në Kosovë me deklaratën e tij për liberalizimin e vizave. Në Tiranë ai u shpreh se Franca në mirëbesim ka hequr vizat për kosovarët nga 1 janari, duke kërcënuar se megjithatë “fjala nuk po mbahet”. Deklarata e tij u keqinterpretua si “vendim i Francës për pezullim të liberalizimit” duke nxitur shpërthim të menjëhershëm në rrjete sociale te kosovarët.