Arbëreshë Kryeziu

Bislimi raportoi me dyer të mbyllura për dialogun në Komision, Kryeziu-Hyseni tregon arsyen dhe akuzon opozitën për keqinformim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten ka raportuar për dialogun para deputetëve që janë anëtarë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në një mbledhje të mbyllur për media.

Kryetarja e këtij komisioni e njëherit deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se kanë kërkuar qe mediat të lirojnë sallën pasi Bislimi i ka paralajmëruar se do të ndajë disa dokumente që janë konfidenciale.

“Fakti që kemi vendosur të mbajmë takim të mbyllur është për shkak se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente që janë konfidenciale dhe të cilat nuk preferohen të ndahen me opinionin publik për shkak të procesit që është shumë fragjil në këtë fazë”.

“Për këtë arsye kemi kërkuar që mediat të lirojnë sallën e jo për shkak se ne nuk jemi transparent në këtë proces, siç u mundua të jepet si arsye nga ana e opozitës”, u shpreh ajo në një deklarim para gazetarëve.

Kryeziu-Hyseni tutje tha se në këtë mbledhje fokusi ka qenë te zhvillimet në dialog dhe sulmin në Banjskë.

“Kemi folur për dialogun, fokusi ka qenë te procesi i muajve të fundit dhe zhvillimet që kanë ndodhur. Fokusi ynë ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodh në dialog tani e tutje”.

Sipas saj, për të pasur lëvizje në procesin e dialogut duhet të ketë lëvizje nga pala tjetër që është e përfshirë në dialog, në këtë rast Serbia.

“Duhet të ketë lëvizje edhe prej anës së Bashkimit Evropian, në kuptimin e trajtimit të palëve në mënyrë të barabartë”.

Deputetja gjithashtu akuzoi opozitën për keqinformim sa i përket dialogut, i cili është në dëm të Kosovës.

“Opozita dhe disa deputetë që janë pjesë e komisionit nuk duan ta shfrytëzojnë asnjë mundësi që iu jepet për të marrë informacione të dorës së parë dhe për t’u informuar saktë për atë se në çfarë situate është vendi ynë. Kam krijuar bindjen se i vetmi mision i tyre është keqinformimi në dëm të Republikës së Kosovës”.