Lugina

Bislimi pret në takim Kamberin, flasin për pozitën e shqiptarëve në Luginë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim Shaip Kamberin – deputetin e zgjedhur shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Bislimi ka thënë se me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, kanë diskutuar mbi zhvillimet aktuale me theks të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm për adresimin e shtypjes e diskriminimit sistematik me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vijon të jetë produktiv edhe gjatë këtij viti ku kemi ndarë 3 milionë euro për Luginën, mbështetje financiare kjo më e madhe për 50%, një milion më shumë sesa viti 2023, me qëllim mbështetjen e pakusht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave, kulturës e gjuhës”, ka thënë Bislimi.

Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 17 nëntor në Serbi, Kamberi ka fituar edhe një mandat të deputetit në Kuvendin e Serbisë.