Zëvendëskryeministri

Bislimi në Bruksel për “dinarin e panegocueshëm” nga politikanët, në tryezë edhe Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani çështjen e dinarit – njëjtë si amerikanët – e ka quajtur “çështje urgjente” që duhet të zgjidhet “idealisht nesër”, teksa njoftoi për herë të parë se “ka pajtim të pjesshëm” me propozimin amerikan dhe se pritet që “shumë shpejtë” të ketë pajtim edhe të plotë.

Osmani u ra toneve optimsite se kjo çështje duhet zgjidhet sa më parë; ndryshe nga Qeveria e Kosovës e cila ka provuar të mirëmbajë gjoja distancë nga përfshirja diskursive në këtë çështje; duke ia bartur Bankës Qendrore të Kosovës vendimmarrjes, ndonëse BQK është thuajse zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosjes në organet vendimmarrëse të saj.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, njoftoi ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar propozimet e tij për një zgjidhje të shpejtë e të përkohshme për çështjen e pagesave të pagave dhe pensioneve te komuniteti serb.

Në anën tjetër, BQK ka dërguar tri propozime drejt Bankës Popullor të Serbisë (dhe Bashkimit Evropian) se si do të mund të kryheshin këto pagesa në valutën e vetme të ligjshme në Kosovë: euro.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak veçse ka nisur takimet në nivelin politik me krynegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimi për të vazhduar më pas me delegacionin serb të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Ende nuk është bërë e ditur nëse do të ketë takim trepalësh sot: Lajçak-Bislimi-Petkoviq.

Ndërkaq ky i fundit duke folur për media ka thënë se në agjendën e bisedimeve të sotme në Bruksel “temë primare” do të jetë Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe; temë kjo e mbetur pezull me një draft-Statut të ofruar nga Perëndimi por që s’duket gjëkundi në horizont eventualiteti i dërgimit të saj për rishikim kushtetues.