Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njeherit shef i shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se për t’i dhënë fund “manipulimeve” të shpërndara, mospjesëmarrja në listën zgjedhore të LVV-së vjen si fakt i udhëheqjes së shtabit zgjedhor.

“Për t’i dhënë fund edhe manipulimeve të shpërndara që nga mbrëmë, njoftoj të gjithë se mospjesëmarrja ime në listën zgjedhore të subjektit tonë, vjen si fakt i udhëheqjes së shtabit zgjedhor. Shefi i shtabit, rrjedhimisht, nuk do duhej të jetë pjesë e listës”, ka shkruar ai në Facebook.

“Kështu ka qenë edhe në vitin 2017, edhe më 2019 dhe më 2021, e do jetë përsëri tash në 2024. Rezultati i tri zgjedhjeve të fundit, tregon që kjo ka qenë strategjia e duhur”, shtoi.

Tutje, ai ka theksuar se Kosova për herë të parë ka një qeveri që po e përmbyll të plotë mandatin e saj katër vjeçar.

“Kjo qeveri, ishte fryt i listës së fitores së madhe të 14 shkurtit 2021. Me një listë po aq të denjë për të përfaqësuar shtetin dhe qytetarët, me figura të reja e të njohura, po kandidojmë edhe në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, për të arritur përsëri një tjetër fitore të madhe”, potencoi Bislimi.

“Që kjo është lista më e mirë, e tregojnë emrat, e tregojnë arritjet, e tregojnë intelekti, aftësia dhe ndershmëria e të gjithëve për të jetësuar idealet dhe vlerat e Lëvizjes. Lista jonë i flet qytetarit dhe është zë i tyre”.

Bislimi ka theksuar se për dallim prej subjekteve të tjera politike, LVV-ja nuk ka nevojë për shpenzime marramendëse të dhjetëra mijëra eurove në ditë për rrjete sociale e analistë, për t’i “bindur” qytetarët për kualitetin e listës.

“Qytetarët e njohin fort mirë Lëvizjen Vetëvendosje, atë çka ne përfaqësojmë dhe qëndrimet tona”, potencoi ai.