Gjenocidi serb

Bislimi: Masakra në Reçak zgjoi forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb

Zëvendëskryeministër i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se masakra në Reçak zgjoi forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb kundrejt shqiptarëve.

Bislimi, theksoi se gjurmët e një masakre të tillë nuk mund të zhduken e as të mohohen.

“Çerekshekulli nga një prej krimeve më të tmerrshme të historisë sonë. Dhimbja ende gëlon në mesin tonë, bashkë me familjet e të afërmit e 45 bashkëkombasve tanë të vrarë barbarisht”, shkroi Bislimi.

“Masakra në Reçak zgjoi forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb kundrejt shqiptarëve. Gjurmët e një masakre të tillë nuk mund të zhduken e as të mohohen”.

“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e orkestruara, paramenduara dhe ekzekutuara. Reçaku është më shumë sesa një ngjarje në librat e historisë. Ajo është fytyra e vërtetë e Serbisë së Millosheviqit e cila ende fatkeqësisht nuk e ka bërë shkëputjen nga ajo aktualja e Vuçiçit, për sa kohë ende mohohen masakra si e Reçakut”, tha zëvendëskryeministër i Kosovës, Besnik Bislimi.