Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se fondet që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

Sipas tij është shkaktuar një mjegull e madhe në raport me këto fonde. 

Ai ka thënë se në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës u është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar, siç ka thënë, dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi.

Sipas tij vonesa janë shkaktuar për shkak të aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes nga Këshilli i BE-së. 

“Si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’u përmbahet afateve të tij të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’u përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.