Besnik Bislimi

Bislimi i pret dy eurodeputetë, Reuten ia dhuron penën me të cilën u nënshkrua vendimi final për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka pritur sot në Qeveri eurodeputetët nga Parlamenti Europian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic.

Bislimi pranoi simbolikisht nga eurodeputeti Reuten, i cili ishte dhe raportues mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, penën me të cilën u nënshkrua me 19 prill të vitit të kaluar, vendimi final për procesin.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim “u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces, angazhimin e vendit sa i përket Planit të Rritjes dhe punës për reformat indikative, por edhe performancën e vendit përmes indikatorëve ekonomikë”.

“U ngritën dhe çështje që ndërlidhen me fusha si energjia, shëndetësia, arsimi. U adresuan dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tyre, eurodeputetët, Reuten dhe Ilcic, siç njofton ZKM, nënvizuan se “Parlamenti Evropian e mbështet Republikën e Kosovës në objektivin e qëllimin e saj në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dhe mirënjohjen për qëndrimin parimor e mbështetjen ndaj qasjes evropiane kundrejt agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë”.

“Duke i falënderuar eurodeputetët për përkrahjen e vazhdueshme të tyre dhe të Parlamentit Evropian ndaj Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi pikëpamjet e ndara dhe diskutimet gjithmonë produktive”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, zëvendëskryeministrin e shoqëroi ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

VIDEO BONUS: