Bislimi i PDK-së: Kurti ta vendosi reciprocitetin duke dërguar mjekë në Luginën e Preshehvës

Nënkryetari i PDK-së për rininë, Donjet Bislimi, nëpërmjet facebook-ut ka bërë një thirrje sot ndaj qeverisë në largim që të dërgojë një kontigjent stafi mjekësor në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sipas Bislimit, përderisa qeveria e Kosovës ka shpallur reciprocitetin me Serbinë e ka lejuar stafe shëndetësore të drejtuara nga Beogradi që të kujdesen për serbët e Kosovës, atëhere edhe Kosova duhet të bëj të njëjtën gjë me Presheven.

Më tutje ai deklaron se këtë thirrje nuk e bën në nivel partiak por si patriot e mjek e madje ofrohet vetë si vullnetar për të shkuar në Presheve, Medvegjë e Bujanovc nëse qeveria bën thirrje e organizon dërgimin atje të ndihmës shëndetësore.

Përndryshe Donjet Bislimi është aktualisht edhe mjek vullnetar në Han të Elezit e në të kaluarën ka qenë aktivist i organizatave rinore të Mitrovicës.

Teksti i plotë i postimit të Bislimit është :

Qeveria në ikje e Kosovës, ditëve të fundit ka dorëzuar autoritetin shtetëror tek Serbia për një pjesë të territorit dhe popullsisë së Kosovës, duke lejuar futjen dhe veprimin në vendin tonë të qindëra mjekëve, infermierëve e stafeve shoqërues serbe të dërguar prej Beogradit. Po ashtu para pak ditësh ka hequr taksën dhe shpallur reciprocitetin me shtetin e Serbisë.
Meqenëse ka shpallur reciprocitetin me Serbinë, unë i bëj thirrje qeverisë së shkarkuar që reciprocitetin ta zbatojë së paku edhe në fushën e shëndetësisë duke dërguar mjekë e infermierë në Luginën e Preshevës. I bëj thirrje qeverisë në ikje që të mendoj për shqiptarët e Luginës, të cilët sikurse janë gjithmonë të diskriminuar, as në kohë të pandemisë nuk po e kanë kujdesin e duhur nga institucionet e atjeshme të Beogradit.
Këtë thirrje nuk e bëj thjesht si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës për rininë por si patriot shqiptar dhe mjek i sapo diplomuar. Unë vetë kam për t’u paraqitur i pari nëse kjo qeveri bën thirrje dhe organizon që të dërgohen vullnetarë të shëndetësisë, mjekë apo infermierë, për t’iu ardhur në ndihmë bashkëkombasve tanë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë .