Dialogu Kosovë-Serbi

Bislimi e Petkoviq po provojnë sërish të merren vesh për dinarin, Lajçak optimist për gjetjen e një zgjidhjeje

Edhe një herë në Bruksel. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq po provojnë sot që të merren vesh për çështjen e dinarit. Takimet kanë nisur. Ndërmjetësi europian, Miroslav Lajçak është optimist për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kanë nisur takimet e radhës për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq kanë udhëtuar për herë të tretë drejt Brukselit, me qëllimin për t’u marrë vesh për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend. Ajo hyri në fuqi nga 1 shkurti.

Kryenegociatori serb tashmë ka nisur një takim me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diplomati sllovak është optimist se do ta gjejnë një marrëveshje. Më pas, ai do ta takojë edhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Palët u dakorduan të takoheshin sërish sot në Bruksel, pasi nuk arritën të merreshin vesh për ndonjë gjë tjetër në udhëtimin e fundit në Bruksel më 25 mars.

As udhëtimi i dytë i kryenegociatorëve në Bruksel nuk e kishte sjellë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së re të BQK-së.

Bislimi foli për dallime të mëdha, pas takimeve të fundit, ndonëse tha se propozimi kosovar ishte konstruktiv. Petkoviq, në anën tjetër, pati kritika se pala kosovare s’po mundohet për të arritur marrëveshje.

“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha ai, pa dashur të japë detaje për propozimet.

Petkoviq tha se ishte i shqetësuar sepse “nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu”.

“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, tha kryenegociatori serb.

Më pozitiv nga takimet e fundit kishte dalë i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Tha se ishin sqaruar detaje të rëndësishme.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi ai në “X”.

Ndërmjetësi europian shtoi se ishin pajtuar të mblidheshin sërish sot “me ambicien për ta gjetur një zgjidhje”. Kështu, të dy kryenegociatorëve iu desh të udhëtojnë sërish në Bruksel.

Bislimi dhe Petkoviq ishin atje edhe më 19 mars dhe edhe nga ai takim dolën pa marrëveshje. Atë ditë, ishin pajtuar vetëm që deri më 22 mars t’i dorëzonin propozimet e tyre për çështjen e dinarit dhe që javën pasuese të takoheshin sërish për t’i diskutuar opsionet.

Një ditë para takimit të parë të kryenegociatorëve për dinarin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se “është urgjente që kjo çështje të zgjidhet”, ndërsa njoftonte se ishte arritur një pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë. SHBA-ja kërkon pezullimin.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan pa sukses në Bruksel edhe në fund të shkurtit. Në atë takim kishte shkuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

BONUS VIDEO| Seanca solemne me rastin e shënimit të 25 -Vjetorit të Betejës së Koshares