Bislimi e kapërcen, Petkoviqi e potencon | Çfarë u pajtua sot në Bruksel për Personat e Pagjetur?

Nga Ohri në konferencë për media pas bisedimeve 12 orëshe më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, përveç njoftimit se “ka ujdi” mes palëve, deklaronte se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta trajtojnë “si çështje urgjence” Deklaratën për Personat e Pagjetur.

Marrëveshja për Personat e Pagjetur ka herë ka qenë afër të arrihet. Por, një formulim ka qenë barrierë e tejkalueshme. Kurti ka qenë i “palëkundur” në atë se duhet të thuhet “persona të zhduku me dhunë” dhe jo vetëm “persona të zhdukur”. Nëse Serbia do ta pranonte këtë, Kurti thoshte se e nënshkruan menjëherë. Së paku, nëse jo tash, ky ishte qëndrimi i tij publik në korrik të vitit 2022.

“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo”, thoshte Kurti në një konferencë për media.

Se ky ishte përnjëmend qëndrim kategorik i Kurtit e thoshte edhe Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur në Serbi, Velko Odalloviç. Kosova, thoshte ai, po e kushtëzon deklaratën për të pagjeturit saktësisht me këtë formulim. “E tëra çfarë po imponohet është politizimi i procesit që nuk po na çon askund, vetëm ky termi ‘zhdukje me dhunë’ dhe tentimi për ta futur atë në dokumente flet për atë se sipas konventës shtetet janë përgjegjëse për zhdukjet me dhunë”.

Bashkimi Evropian deklaronte se teksti për këtë marrëveshje ishte harmonizuar krejtësisht, por veçse ngecja ishte saktësisht në këtë formulim. “Kosova dhe Serbia janë shumë afër një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është ‘harmonizimi i dy fjalëve’”, thonin nga BE.

Bislimi i Petkoviqi në Bruksel

Në Bruksel u mbajt takim trepalësh në nivel kryenegociatorësh mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit. Zv/kryeministri Bislimi s’pati shumë për të thënë për të Pagjeturit por Petkoviqi po. Sipas këtij të fundit, Serbia me sukses “shmangti” saktësisht atë term.

“Kjo është e rëndësishme për shkak të familjeve të të gjithë atyre që janë ende të zhdukur. Do të shtoja vetëm se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha kushtet, dhe se nuk e kemi pranuar termin ‘zhdukje me dhunë’, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e shtetit të Serbisë”, tha sot Petkoviq.

Prandaj, tha ai, tani mbetet të ketë takim të Nivelit të Lartë ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksnadar Vuçiq “për ta miratuar” Deklaratën për Personat e Pagjetur. Por, Bislimi s’e thotë një gjë të tillë. Ai e kapërcen atë mes rreshtash teksa tregon fare pak se çfarë u diskutua në takim.

“Po ashtu, cka është më e rëndësishmja, kemi diskutuar për mënyrën se si duhet të sekuencohet hapat e ardhëm të marrëveshjes bazike si njohja e diplomave, gjetja e të pagjeturve, mosobstruksioni i Kosovës në organizata ndërkombëtare e të tjera”, tha Bislimi pas takimit në Bruksel.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, vazhdojnë të jenë edhe 1,639 persona, kryesisht shqiptarë./insajderi