Besnik Bislimi

Bislimi: Diskutimi në Bruksel s’u zhvillua rreth dinarit apo Rregullores së BQK-së

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se e ka njoftuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier për takimin e së martës në Bruksel.

Bislimi njoftohet se e ka informuar Hovenierin që diskutimi i djeshëm në Bruksel nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, “e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Gjithashtu ai i ka thënë ambasadorit amerikan se në takimin e kryenegociatorëve të mërkurën në Bruksel, pala serbe u deklarua kundër zbatimit të marrëveshjes dhe formalizimit të saj.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin Hovenier mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim, fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm. Ai shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

Bëhet e ditur se janë trajtuar edhe një sërë temash të tjera gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka potencohet në komunikatë se, ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.