Sonja Biserko

Biserko: Serbia anti-perëndimore s’ka hequr dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), Sonja Biserko, në një intervistë për “Albanian Daily News” të hënën, tha se Serbia nuk ka hequr dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës, derisa duke komentuar bojkotin e Listës Serbe për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore, shtoi se qëllimi është demonizimi i Qeverisë së Kosovës.

“Serbia vazhdimisht ka marrë vendime që janë në kundërshtim me interesat e serbëve të Kosovës. Sa për ilustrim, ka pasur dalje nga institucionet, mospjesëmarrje në zgjedhje dhe tani bojkoti i Listës Serbe për votimin e 21 prillit me qëllim të demonizimit të qeverisë kosovare, veçanërisht në dritën e anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Gruaja që dokumentoi krimet e udhëheqësve fashistë të Serbisë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, shtoi se sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndryshoi në mënyrë dramatike qëndrimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Megjithatë, peizazhi ndërkombëtar ka ndryshuar dhe presidenti [i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç ka humbur besimin e komunitetit ndërkombëtar perëndimor pas incidentit në Banjë dhe mashtrimit zgjedhor në dhjetor. Rritja e presionit nga Perëndimi (dhe Rusia) kanë rezultuar në radikalizimin e retorikës dhe kërcënimeve të tij”, theksoi ndër të tjera aktivistja e njohur.

Biserko konsideroi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërjmetësimin e Bashkimit Evropian (BE) është në krizë, ndërsa vlerësoi se BE-ja u detyrua ta ndryshojë qasjen për shkak të një konstelacioni të rrezikshëm, i cili ka sjellë prioritetet e sigurisë në plan të parë para demokracisë, posaçërisht pas shpërthimit të dhunës në veri.

VIDEO BONUS: