Moti

Bien temperaturat, e premtja dhe fundjava me shi të vrullshëm

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – ASHNA ka bërë të ditur se nga e premtja priten reshje të shiut të intensitetit të vrullshëm dhe ulje e temperaturave.

ASHNA në një postim në Facebook bën të ditur se temperaturat maksimale do të jenë deri 12 gradë Celsius, ndërkaq minimalet do të zbresin deri në 5 gradë.

“Moti stabil që ka mbretëruar javëve të kaluara, shoqëruar me temperatura mbi normalet mesatare dhe dominim të rrezeve të diellit, do të pësojë ndryshim ditën e premte në orët e mbrëmjes dhe ditëve të vikendit në vazhdim, kur priten reshje të shiut të intensitetit të vrullshëm kohë pas kohe dhe ulje e temperaturave maksimale deri në 12°C dhe minimaleve deri në 05°C”, thuhet në njoftim.

Sipas ASHNA-s, mot i qëndrueshëm pritet në vazhdim deri në mesin e këtij muaji, me riga lokale të dobëta shiu kohë pas kohe, erëra kryesisht të intensitetit deri mesatar nga drejtimi jug-jug perëndimor dhe me rënie graduale të temperaturave në suaza normale për periudhën në të cilën gjendemi.

Në anën tjetër, si rrjedhojë e shtypjes së ulët atmosferike në Atlantikun lindor, mot jashtëzakonisht i ashpër me erëra të fuqishme deri në 200 km/h dhe rrebeshe reshjesh, pritet që të godas Evropën Perëndimore, sot dhe ditëve në vazhdim nën ndikimin edhe të stuhisë ‘Ciaran’.