Evropë

Bien bursat në Evropë nga frika se Rusia do të sulmojë Ukrainën, sa arrin nafta

Aksionet europiane po shiten dhe tregtarët po nxitojnë drejt aseteve të sigurta të hënën, teksa kancelari gjerman Olaf Scholz përgatitet të udhëtojë në Moskë në një përpjekje të re për të penguar Rusinë që të nisë pushimin e Ukrainës.

Indeksi rajonal i Stoxx Europe 600 ra 2.9 për qind në tregtimet e mëngjesit. Treguesi FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar ra me 2.2 për qind ndërsa Dax 30 i Gjermanisë dhe Cac 40 i Francës ranë secili me më shumë se 3.5 për qind. Kontratat e së ardhmes S&P 500 ranë 1 për qind, duke sinjalizuar se indeksi i aksioneve në SHBA mund të bjerë më tej pas reduktimit me gati 2 për qind të premten.

Rënia e së hënës erdhi pasi Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, tha të dielën se një sulm nga Rusia kundër Ukrainës mund të fillojë “çdo ditë tani”, duke përfshirë “këtë javë që vjen, para përfundimit të Lojërave Olimpike”. Komentet e tij erdhën pasi vendet perëndimore vazhduan të tërhiqnin personelin diplomatik dhe ushtarak nga Ukraina dhe linjat ajrore anuluan fluturimet për në vend. Disa vende evropiane po përgatiten të pranojnë një vërshim refugjatësh në rast të veprimeve ushtarake.

Scholz do të udhëtojë për në Kiev të hënën dhe do të shkojë në Moskë të martën. Lideri gjerman pritet t’i kërkojë Putinit të de-përshkallëzojë situatën në kufirin me Ukrainën, tha një zyrtar i lartë i qeverisë. Ai gjithashtu do të japë mesazhin se “sa të rënda do të ishin pasojat e një sulmi” për sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe do të vërë theksin te fakti “se nuk duhet nënvlerësuar uniteti i BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”.

Presidenti i SHBA Joe Biden bisedoi me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan e kishte bërë të qartë se Uashingtoni do t’i përgjigjej veprimeve ushtarake ruse “me shpejtësi dhe në mënyrë agresive”.

Tregjet në javët e fundit nuk ishin prekur gjerësisht nga situata në kufirin Rusi-Ukrainë. Megjithatë, paralajmërimi i SHBA-së se një sulm mund të jetë i pashmangshëm shkaktoi një valë shitjesh aksionesh në Wall Street në fund të javës së kaluar dhe tani është përhapur në Evropë.

“Ndërsa perspektiva e një pushtimi rus të Ukrainës përparon, rriten edhe rreziqet e sanksioneve ekonomike të SHBA-së. Këto mund të kenë efekte më të mëdha se raundet e mëparshme të sanksioneve dhe mund të dëmtonin firmat në mbarë botën, jo vetëm në Rusi,” tha Dan Wang, një analist në Gavekal Research.

Strategët në Rabobank shtuan se “sanksionet [në Rusi] do të kishin një ndikim dramatik në çmimet e energjisë, ushqimit dhe metaleve kryesore”.

Kontratat evropiane të gazit natyror për furnizimin e muajit të ardhshëm u rritën 12 për qind të hënën në 83.41 € për megavat orë. Treguesi referencë ndërkombëtar i naftës, Brent, u rrit deri në 96,16 dollarë, niveli më i lartë në më shumë se shtatë vjet.

“Nëse pretendimet perëndimore për pushtimin rus të Ukrainës do të rezultojnë të pabazuara [ose] Rusia tërheq trupat e saj nga kufijtë e saj perëndimorë, çmimet e naftës do të bien,” tha Tamas Varga nga PVM Oil Associates, një ndërmjetës. “Por ne po ecim përpara dhe për momentin të gjithë sytë janë te Ukraina dhe te niveli 100 dollarë për fuçi”. / Financial Times-/Monitor