Bie interesimi i qytetarëve për vaksinim në Kosovë, infektologu ia hedh fajin MSH-së dhe IKSHPK-së

Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar vazhdon të jetë i ulët në Kosovë.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë ditës së djeshme janë dhënë vetëm 12 doza të vaksinës kundër COVID-19, shkruan Demokracia.com.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.821.690 doza të vaksinës, ndërsa deri më sot 821.084 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Kurse me dozë përforcuese dhe dozë të treta të vaksinës kundër COVID-19 janë 100.583 doza, thuhet në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Vaksinimi kundër COVID-19 është vullnetar, por sipas masave në fuqi kundër koronavirusit, qytetarët duhet të dëshmojnë që janë të vaksinuar ose që kanë rezultuar negativ në test për koronavirus nëse punojnë, hyjnë në restorante dhe bare (vende të mbyllura), ose gjatë udhëtimit.

Lidhur me mos interesimin e qytetarëve për vaksinim Demokracia.com ka kontaktuar edhe me infektologun e Qendrës Klinike Universitare Kosovare (QKUK), Hamdi Ramadanin.

Ai ka deklaruar se duhet të bëhet një fushatë më aktive e sidomos nga Ministria e Shëndetësisë pasi që është prioritet i saj.

“Gjithsesi duhet të bëhet një fushatë më e ngritur, me energjike, me aktive dhe me gjithëpërfshirëse në të gjitha sferat e shoqërisë edhe shoqëria civile edhe OJQ’jat. Por me prioritet e ka Ministria e Shëndetësisë, që me aktivitete të saj të promovoj shëndetin dhe imunizimin e qytetarëve”, ka deklaruar Ramadani.

“Edhe sfera e arsimit e të gjitha niveleve duhet të jetë sa më aktive për mbrojtje të shëndetit me vaksinim kundër pandemisë Covid-19”, ka thënë ai.

Ndër të tjerash, Ramadani thotë se IKShPK duhet ta ketë një rol të lartë të thirrjes për vaksinim të qytetarëve.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të ketë një rol më të lartë të thirrjes për vaksinim. Duhet të bëjë fushatë e thirrje me postera, programe promovuse për vaksinim dhe luftës kundër pandemisë me anë të vaksinimit dhe imunizimit në shkallë të lartë të përqindjes mbi 70%, në të gjitha kategoritë si fëmijë, të rritur, të moshuar me tre doza anti-covid. Mendoj se do të kishte impakt të mirë në vetëpërgjegjësi, vetëndërgjegje të madhe të qytetarëve për marrjen e vaksinës. Këto të gjitha duhet mbështetur me terë mundësitë e mjetet e Organet e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.