Presidenti i SHBA-së

Bideni siguron donatorët se ai mund t’i fitojë zgjedhjet

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ka siguruar donatorët demokratë se ai ende mund t’i fitojë zgjedhjet presidenciale kundër Donald Trumpit, pasi një performancë e dobët e debatit të enjten mbrëma nxiti shqetësimin për kandidaturën e tij.

Presidenti, 81 vjeç, mori pjesë në një seri ngjarjesh për mbledhjen e fondeve në Nju Jork dhe Nju Xhersi të shtunën dhe mbrojti performancën e tij në debatin presidencial të CNN-it.

Duke folur në një nga ngjarjet, Bideni e pranoi se nuk pati një natë të mirë.

“Unë nuk pata një natë të mirë, por as Trumpi. Ju premtoj se do t’i fitojmë këto zgjedhje”, ka deklaruar Bideni.

Presidenti më vonë ka shtuar se e kuptonte shqetësimin rreth performancës së tij në debatin e së enjtes, por u zotua të luftojë më fort.

Guvernatori demokrat i Nju Xhersit, Phil Murphy, mori pjesë në mbledhjen e fondeve së bashku me Bidenin dhe zonjën e parë dhe i tha presidentit se “ne jemi të gjithë me ju 1000%”.

Performanca e Bidenit në skenën e debatit kundër ish-presidentit Donald Trump ngriti pikëpyetje të reja në mesin e disa demokratëve nëse ai është kandidati i duhur për të dalë në këto zgjedhje.

Duke folur për Katty Kay të BBC-së, ish-kryetarja e Dhomës Demokratike, Nancy Pelosi ka thënë se performanca e debatit të Bidenit “nuk ishte e shkëlqyer”, ndërsa ish-drejtoresha e tij e komunikimit, Kate Bedingfield, e quajti atë “me të vërtetë zhgënjyese”.

Edhe zyrtarë të fushatës së Bidenit e pranuan se debati nuk kishte shkuar ashtu siç kishin shpresuar, por shtuan se ai nuk do të tërhiqej për një kandidat tjetër.

Kryetarja e fushatës Jennifer O’Malley Dillon tha se sondazhet e brendshme pas debatit treguan se “mendimet e votuesve nuk u ndryshuan”. “Nuk do të jetë hera e parë që narrativat e tejmbushura të mediave kanë sjellë rënie të përkohshme në sondazhe,” tha ajo.

Vetëm disa orë pas debatit, Trump u tha mbështetësve të tij se ai e konsideronte debatin një “fitore të madhe” për fushatën e tij duke shtuar se Bideni ishte “shumë i paaftë”.

“Problemi i Joe Bidenit nuk është mosha e tij”, ka deklaruar 78-vjeçari Trump.