Bideni rithekson: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të jetë e përqendruar te njohja reciproke

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë urimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për ditën pavarësisë së Kosovës, ku është theksuar mbështetja e SHBA-së si partner i palëkundur i Kosovës.

Në letrën e bërë publike nga Osmani, Bideni ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 14 vjetëve të pavarësisë së saj.

Ai madje ritheksoi mbështetjen e SHBA-së në përpjekjet e vendit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe të forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”.