Bideni kujton Marrëveshjen e Dejtonit: Është e nevojshme të ndërtojmë një BeH funksionale

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, ka vlerësuar punën e paqeruajtësve që kanë kontribuuar në Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës mes Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Për këtë Marrëveshja e cila ka mbushuar 25 vjet, Bideni shkruan se në këtë ditë festohen përpjekjet për paqe dhe vajtohen humbjet e afro 100.000 të vrarëve dhe miliona të shpërngulurve.

Bideni ka përmendur se Marrëveshja e Dejtonit solli paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke riafirmuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e këtij shteti.

“Megjithatë, një çerek shekulli më vonë, është e qartë se puna për të promovuar drejtësinë, pajtimin dhe një Bosnje dhe Hercegovinë funksionale, multi-etnike mbetet e paplotë. Shumë shpesh, ne kemi parë nacionalizmin të fitojë mbi interesin kombëtar dhe pasurimin e disa që vijnë para reformave për të përfituar shumë. Ky përvjetor është një rast për të gjitha palët që të reflektojnë mbi mundësinë e një të ardhme më të ndritur dhe për të rimarrë hapat e vështirë, por të nevojshëm për të ndërtuar një Bosnjë dhe Hercegovinë plotësisht funksionale për të gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar presidenti i zgjedhur i SHBA-së.

Ai ka bërë me dije se si president i SHBA-së, pret të punojë me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në realizimin e premtimit të përfshirë në Marrëveshjen e Dejtonit, që ta bëjë këtë shtet të begatë, të drejtë dhe demokratik në zemër të një Evrope të lirë dhe paqësore.

Më 14 dhjetor të vitit 1995, në Paris të Francës, ishte nënshkruar Marrëveshja kornizë për paqe në Bosnjë dhe Hercegovinë. E njohur si Marrëveshja e Dejtonit, shënoi fundin e luftës në BeH, e cila kishte filluar në vitin 1992. Ajo u nënshkrua nga presidenti i BeH, Allija Izetbegoviq, ai i Serbisë Sllobodan Millosheviq dhe presidenti kroat, Franjo Tuxhman.