Bideni ia bën me dije Erdoganit se do ta pranojë gjenocidin ndaj armenëve, telefonatë e tensionuar

Presidenti amerikan Joe Biden i ka thënë të premten presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan përmes një bisede në telefon, se po planifikon ta pranojë gjenocidin që Perandoria Osmane ka kryer ndaj popullit armen gjatë Luftës së Parë Botërore.

Biseda telefonike mes dy presidentëve është përshkruar nga burime të afërta, si “e tensionuar”.

Një ditë më parë, mediat kanë raportuar se presidenti amerikan Biden është duke planifikuar që të njoh gjenocidin ndaj armenëve.

Ndërkohë, shtëpia e Bardhë nuk ka dashur të konfirmojë nëse ka pasur një bisedë telefonike mes dy presidentëve.

“Sa i përket gjenocidin ndaj popullit armen, mund të merrni njoftimin nesër”, ka thënë një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, duke mos dashur të japë detaje lidhur me bisedën e parë mes presidentit amerikan dhe atij turk.

Joe Bideni do të bëhet presidenti i parë amerikan i cili do ta njohë edhe formalisht vrasjen e 1,5 milionë armenëve gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Turqia e ka pranuar vdekjen e armenëve në Perandorinë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore mirëpo me vendosmëri e ka mohuar se vrasjet janë orkestruar dhe se ato paraqesin gjenocid.