Gjatë ceremonisë përkujtimore të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që po mbahet në Katedralen Kombëtare në Washington, Presidenti i Amerikës, Joe Biden, mbajti një fjalim emocionues teksa kujtoi jetën dhe veprën e saj. 

Biden vuri në pah trimërinë dhe guximin e ish-Sekretares në përballje me diktatorët më të mëdhenj të botës.

“Ajo e kuptoi diçka që unë e besoj gjithmonë se të gjithë politikat ndërkombëtare janë personale, ajo nuk frikësohej të përballej me diktatorët më të fuqishëm dhe pastaj ta mësonte një ish-ambasador si të kërcente në Këshillin e Sigurimit. Ajo gjithmonë u sigurua që gratë e reja të kenë mundësinë të jenë të pranishme në çdo tavolinë që kishte të bënte me sigurinë kombëtare të SHBA-së”, tha Biden.

Biden takoi ish Presidentin e Amerikës, Barack Obama dhe zonjën e parë, Michelle Obama, pak para fillimit të ceremonisë përkujtimore të Albright

Tutje, Biden tha se Albright ishte aleatja kryesore e Senatit në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan.

“Emri i saj është sinonim i Amerikës si forcë e së mirës në botë. Në punën tonë për të ndalur gjenocidin në Ballkan për të përkrahur demokracitë në lindje të Evropës, Madeleine ishte një aleate dhe përkrahëse në Komitetin për Punë të Jashtme në Senat”, tha Biden.

Biden tregoi edhe se si mori vesh për vdekjen e ish-Sekretares Albright.

“Kur më erdhi lajmi se Madeleine Albright ka vdekur isha në mes të fluturimit për në Evropë për t’i takuar aleatët e NATO-s. Sekretarja Albright është pjesë e madhe e arsyes që NATO është e fuqishme siç është sot”, tha Biden.