Biden: Kam garanci të fortë nga ukrainasit, se F-16 nuk do të përdoret në territorin rus

Duke folur për mediat sot në samitin e G7 në Hiroshima, presidenti amerikan Joe Biden tha se ka marrë garancion që Ukraina nuk do të përdorë aeroplanët luftarakë F-16 për të sulmuar territorin rus.

Megjithatë, ai shtoi se F-16 mund të jenë të dobishëm kudo që ushtria ruse është në territorin ukrainas, transmeton Telegrafi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi presidentin amerikan për aeroplanët luftarakë F-16.

“Po, ne kemi punuar politikisht për këtë për një kohë shumë të gjatë me partnerët tanë. Ne i jemi vërtet mirënjohës SHBA-së për këtë ndihmë”, shtoi ai.

Zelensky tha se është e rëndësishme që pilotët ukrainas t’i nënshtrohen trajnimit sa më shpejt të jetë e mundur, dhe theksoi se ende nuk dihet se sa aeroplanë do të marrin.