Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj situatës politike në vend, duke kërkuar nga presidentja që të mos mandatojë përsëri një subjekt politik që, sipas tij, nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.
Në një postim, Gjoshi ka thënë se pas verifikimit se subjekti aktual qeverisës është “larg 61-shit të domosdoshëm për të formuar Qeverinë”, presidentja nuk ka arsye që ta mandatojë atë sërish.
“Presidentja nuk ka nevojë që ta mandatojë prapë një subjekt politik që para disa ditësh u vërtetua se është larg 61-shit të domosdoshëm për të formuar Qeverinë, por duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja,” ka shkruar Gjoshi.
Ai ka shtuar se çdo veprim tjetër, përveç shpalljes së zgjedhjeve, do të ishte “shërbim për agjendën politike të një uzurpatori që ka më shumë se 200 ditë që po qëndron jashtëligjshëm në Qeveri”.
Sipas tij, zgjidhja e vetme për të rikthyer funksionimin e institucioneve është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat, siç thotë ai, duhet të shpallen “sa më shpejt, më së largu javën e parë të nëntorit”.







