Beteja e Koshares vazhdon të mbetet tmerr për Serbinë, Vuçiq kërkon të dijë çka ka ndodhur atje me ushtarët serbë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka pasur takim në Bruksel për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për ekonominë.

“Ne kemi qenë të gatshëm të pranojmë çdo lloj të dialogut”, ka thënë Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Ne kemi thënë se Serbia nuk do të mbrojë askënd dhe se jemi të gatshëm të përgjigjemi në secilën kërkesë të shqiptarëve. Nëse duan të tregojnë në hartë që ka vendvarrim të shqiptarëve, ne do të tregojmë se a ka në atë vend ndonjë gjë apo jo. Këtë të drejtë e kemi kërkuar edhe ne prej tyre. Pasi ne deri më tani nuk kemi pasur qasje në vendet si Koshare”, ka theksuar Vuçiq.

Për të pagjeturit, Vuçiq ka thënë se do të vazhdohet biseda të mërkurën.

“Shqiptarët kanë kërkuar që të hapen arkivat ushtarake për këtë, por Serbia ka kërkuar të hapen arkivat e UÇK-së. Që të mund të shohim se ku janë serbët dhe joshqiptarët tjerë të vrarë”.

Sipas Vuçiqit ka pajtim për dy parime: që të punohet me Kryqin e Kuq dhe që të tregohet dëshirë politike.

Është folur në takim edhe për të zhvendosurit dhe për sigurimin e kthimit të tyre.

“Njëra prej çështjeve ishte edhe për dëmshpërblimet e luftës. Kam refuzuar, kam thënë se nuk ka kuptim të flasim për këtë”, ka thënë Vuçiq.

Është folur edhe për ekonominë.

“Ne kemi çka t’i ofrojmë Prishtinës, shpresoj se edhe ata kanë çka të na ofrojnë. Nuk negociojmë ne këtu vetëm me Prishtinën, por edhe me Brukselin. Mendoj se jemi përgatitur mirë për takim”.

Vuçiq pas 15 ditësh sërish do të jetë në Bruksel, ndërsa në shtator do të diskutohen çështje tjera, si prona. Ai ka kërkuar të bisedohet edhe për Asociacionin.

“Më vjen mirë që me të vërtetë erdhëm të bisedojmë, të bëjmë hapa para. BE-ja le të vlerësojë se si erdhi pala tjetër”, ka përfunduar Vuçiq.